“Fatos Lulo, rast për hetim”

25/04/2013 23:30

Në një intervistë për Voice of America, prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë është shprehur mbi rastin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, të dekretuar tashmë për në Kushtetuesen.

VOA – “Këto ditët e fundit në shtypin shqiptar është përfolur rasti i anëtarit të Gjykatës së Lartë, i cili u dekretua tashmë për në Gjykatën Kushtetuese, zotin Fatos Lulo, i cili sipas agjencisë, që ju keni drejtuar më parë, ILDKP-së, ka deklaruar shuma të mëdha fondesh, që i janë dhënë atij në formë dhurate nga familjarët e tij. A ka sot një kërkesë nga Inspektoriati ose nga Prokuroria, a kanë filluar hetime për këtë rast?”.

Adriatik Llalla – “Rasti i zotit Lulo, sic u bë prezent edhe gjatë kohës që unë drejtoja ILDKP-në, ishte ndër rastet që kishte nevojë për hetime, në lidhje me personat e lidhur me zyrtarët. Ky ishte një ndër rastet që u bë shkak, që ILDKP-ja kërkonte amendimin e ligjit për ILDKP-në. Iniciativë ligjore, e cila gjeti mbështetjen e plotë të të gjithë faktorit politik shqiptar dhe tashmë ILDKP i ka të gjitha mundësitë, që të hetojë këtë rast. Besoj se, nëse ky inspektoriat do të referojë rastin në Prokurori, ky institucion do të fillojë menjëherë hetimet”, u shpreh kryeprokurori i Shqipërisë.

VOA – “Pra, mesa ju kuptova drejt, rasti nuk është referuar në Prokurori”.

Adriatik Llalla – “Jo, nuk është referuar në Prokurori”, konfirmoi prokurori i përgjithshëm.

Top Channel