Shqiptarët që nuk merren vesh

24/04/2013 20:15

Keqkuptimet që sjellin ndryshimet dialektore në trevat shqiptare, shpesh i venë njerëzit në situata dramatike dhe komike. Dhe kur këto përplasje gjuhësore ndodhin në një shkollë të imagjinuar, ku arsimohen jo më pak se vetë fëmijët e pushtetarëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ateherë situatat janë të pazakonta.

Të tilla skena do t’i shohim në serialin më të ri të Digitalb dhe K Studio. Xhirimet me regjinë e Ilir Bokshit dhe me pjesëmarrjen e aktorëve njohur nga të gjitha trevat shqipfolëse kanë nisur tashmë në Kosovë.  

Ideja e bashkimit të artistëve duket se e ka ngacmuar aktorin nga Kosova, Enver Petrovci të pranojë rolin e drejtorit në këtë shkollë: “Është një ide ku përfshihen personazhe gjithëkombëtare dhe nuk kishte si mund të mos pranoja rolin.”

Aktori i njohur i humorit, Koço Devole, vjen në rolin e profesorit të historisë, një burrë i ndershëm, por që kohët e fundit ka probleme me alkoolin dhe si pasojë fle gjatë orës së mësimit me arsyetimin se ëndrrat e tij janë të “pazëvendësueshme”: “Kjo gjë më mban gjallë, aktrimi mes të rinjve dhe aktorëve të mëdhenj. Mendoj se do të japim maksimumin.”

Aktorë të tjerë që interpretojnë në serial janë Xhevdet Jashari, Armend Ismaili, Jonida Vokshi, Olta Dako, Helidon Fino etj.

Regjisori Ilir Bokshi nga Kosova, shprehet i kënaqur me punën e deritanishme të të gjithë ekipit i cili po ndihmon në realizimin e këtij seriali: “Është një punë e mirë, me kualitet në fotografi dhe realizim.”

12 episodet e sezonit të parë të këtij seriali do të fillojnë të transmetohen në muajt e ardhshëm.

 

Top Channel