Kriza ekonomike në vend të parë

24/04/2013 19:45

Kriza ekonomike është shndërruar tashmë në problemin më të madh të familjeve shqiptare. Një sondazh i Institutit shqiptar për Studime Ndërkombëtare, i realizuar në 12 qytetet kryesore të vendit, ka gjetur se 33 për qind e shqiptarëve mendojnë se kriza ekonomike është problemi më i madh që ka aktualisht Shqipëria.

Në vend të dytë renditet mungesa e zbatimit të ligjit me 15 për qind, korrupsioni me 11 për qind dhe konflikti politik me po 11 për qind. Tendenca bëhet më e fortë kur qytetarët pyeten direkt se cili është problemi që i shqetëson ata personalisht më shumë.

28 për qind e individëve përgjigjen se janë të ardhurat e pakta ekonomike, 25 për qind të tjerë vendosin papunësinë, ndërsa 13 për qind kanë si problemin e tyre më të madh varfërinë.

Sondazhi, i titulluar “Shqipëria në prag të zgjedhjeve 2013”, ka patur në fokus sondimin e oponionin publik për disa çështje, por përgjigjet nxjerrin qartë në pah se shqetësimi më i mprehtë për ta janë çështjet ekonomike.

Sipas sondazhit, aktualisht 42 për qind e individëve mendojnë se gjendja ekonomnike është e keqe, 24 për qind e cilësojnë atë shumë të keqe, ndërsa vetëm 29 për qind mendojnë se ajo është mesatare ose e mirë.

Pikërisht zgjidhja e problemeve ekonomike është ajo që qytetarët presin më shumë nga qeveria e re. Të pyetur se cili duhet të jetë prioriteti i qeverisjes, 28.8 për qind e tyre janë përgjigjur zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, 16.5 për qind përgjigjen punësimi i të rinjve, ndërsa 16.4 për qind lufta kundër varfërisë.

Sipas sondazhit, 71 për qind e individëve të pyetur tregojnë se do të votojnë zgjedhjet e ardhshme, 18 për qind nuk do të votojnë, ndërsa pjesa tjetër është ende e pasigurtë.

Top Channel