Rritja e sigurimeve shoqërore

23/04/2013 00:00

Komisioni i Ekonomisë miratoi një ligj, i cili shtyn për në 1 janar të
vitit 2014, rritjen e kontributeve shëndetësore që derdhin të
vetëpunësuarit.

“Kjo shtyrje bëhet për arsye të krijimit të infrastrukturës së nevojshme për zbatimin e këtyre dispozitave, për dhënien e mundësisë të shtimit të numrit të vetëpunësuarve në skemë, si edhe në vazhdim të objektivave për të mbajtur taksa të ulëta”, thotë Arjana Dyrmishi, Drejtore e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave.

Ligji që rrit me 45 per qind kontributet per 65 mijë të vetëpunësuar në të gjithë vendin, është miratuar nga maxhoranca dy vjet më parë. Por hyrja në fuqi e tij ishte parashikuar në mars të këtij viti.

“Që kjo ka lidhje me fushatën elektorale, duket haptaz, sepse fare mirë këtë ndryshim në ligj, një qeveri e përgjegjshme, që ka për synim, sic thoni ju, mosrritjen e barrës së taksave, duhet ta kishte që para dy vjetësh, kur e solli me rritje 45 për qind. Kjo ishte një arsye pse ne e votuam, që për vetë te punësuarit, pjesërisht apo kryesisht, për gjithë biznesin e vogël nuk mund ta pranojmë këtë barrë” thotë deputeti socialist Erjon Brace.

“Ju nuk doni të bëni reformat për shkak të kostove. Reformat në fillim kanë kosto dhe pastaj merren përfitime, por ju nuk doni t’i merrni kostot”, thotë deputeti tjetër socialist Arben Malaj.

Paralelisht Komisioni miratoi edhe një kontratë që i jep koncesionin e skanimit në dogana një kompanie private amerikane kundrejt tarifes se përcaktuar prej 39 eurosh, që do të paguhet nga tregtarët.

Marrëveshja që i jep kompanisë 12 milionë euro në vit ka një afat prej 15 vjet që në total e çon koston e këtij shërbimi që do paguhet nga tregtarët në 180 milionë euro.
 

Top Channel