Misteret e Piramidës së Diellit

23/04/2013 00:00

Një mikro-robot, i ndërtuar posacërisht për të ndihmuar arkeologët në kërkimet e tyre në Piramidën e Diellit në Meksikë, zbuloi disa rrugë të reja nën Tempullin e Quetzalcouatl-it.

Arkeologët shpresojnë që në fund të këtyre rrugëve të pashkelura prej 2 mijë vitesh të mbërrijnë të paktën në një dhomë antike. Roboti, i pagëzuar me emrin Tlaloc II-TC, sipas emrit të perëndisë azteke të shiut, është i pajisur me një krah të automatizuar që e ndihmon atë të pastrojë pengesat që mund të hasë gjatë kërkimit.

Ai është i pajisur gjithashtu edhe me një aparat fotografik që regjistron me intervale kohore të barabarta duke ndihmuar shkencëtarët dhe arkeologët në sipërfaqe që të orientohen më mirë në përcaktimin e lëvizjes së tij.

Arkeologët shpresojnë të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar strukturën e Piramidës së Diellit, e shndërruar në zonë arkeologjike prej një shekulli, por që pak dihet për të.

Historianët meksikanë besojnë se bëhet fjalë për një ndërtesë të ngritur në nder të një udhëheqësi indigjen, rreth 2500 vite më parë.

Zona antike përfshin Piramidën e Diellit, atë të Hënës, disa tempuj e sheshe të shoqërisë prehispanike. I gjithë ky kompleks mendohet të ketë qenë qendra e një qyteti prej më shumë se 100 mijë banorësh, që e bëjnë atë kryeqendrën e Amerikës Veriore dhe asaj Qendrore para rënies fillimisht në dorë të aztekëve e më pas të kolonizuesve spanjollë.

Qyteti mendohet se është ngritur nga fiset indigjene rreth 2500 vite më parë dhe ka ruajtur fuqinë e tij deri në shekullin e parë para lindjes së Krishtit. Në vitin 1300, qyteti ra në duart e aztekëve të cilët e quajtën “qyteti ku njeriu bëhet Zot”.

Top Channel