Ikin me pushime, kur kthehen në vend të fushës gjejnë rrugë

23/04/2013 00:00

Futbollistët, drejtuesit dhe gjithë pjesa tjetër e stafit teknik të skuadrës amatore të Ny Krohnborg në Norvegji mbetën të shokuar kur panë që në një pjesë të fushës së tyre kishte përfunduar ndërtimi i një rruge.

Skuadra ishte shpërndarë për disa muaj për shkak të pushimeve dimërore që në vendet nordike janë të tejzgjatura për shkak të motit të ftohtë. Kur u rikthyen për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, futbollistët dhe gjithë pjesa tjetër e klubit mbeti e shtangur; mbi vijën fatale në njërën portë të fushës së tyre kalonte një rrugë.

Rruga është ndërtuar me vendimin e drejtuesve lokalë për t’i shërbyer një spitali të ri të hapur aty pranë. Sipas drejtuesve të Ny Krohnborg ndërtimi i rrugës nuk iu është njoftuar nga drejtuesit lokalë, ndaj kjo i ka gjetur të papërgatitur për sezonin e ri.

“Sezoni do të nisë së shpejti dhe ne nuk kemi asgjë gati. Jemi të mbaruar. Askush nuk na informoi për këtë ndryshim. E kuptoj që politikanët duhet të punojnë për t’i shërbyer komunitetit, por duhet të mendojnë edhe për të ruajtur sportin”, deklaroi presidenti i skuadrës amatore, Radney Thomsen për mediat norvegjeze.

Top Channel