Qeveria ul taksat por nuk ofron burime kompensimi

18/04/2013 00:00

Përgjysmimi i taksës së automjeteve dhe heqja e tatimit mbi shitjen e
tokës bujqësore, përbëjnë aktin e fundit të paketës stimuluese që
Qeveria ndërmorri përmes uljes së taksave.

Paketa ul të ardhurat në buxhet në tërësi me rreth 17 miliardë lekë dhe për herë të parë Qeveria e pranoi publikisht që nuk ka parashikuar se si do e kompensojë efektin financiar, por shpreson tek rritja ekonomike.

“Ne besojme se ulja e taksave do gjalleroje biznesin duke sjelle me shume te ardhura ne buxhet dhe duke zbutur efektet”, thotë zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj.
 
Në kushtet kur Qeveria nuk pranon të ulë shpenzimet ka vetëm një mënyrë për të kompensuar tkurrjen e të ardhurave, që është rritja e borxhit.

Për rrjedhojë humarrja e Qeverisë, që për këtë vit ishte parashikuar në në buxhet 48 miliardë lekë me këtë skenar kërcen në mbi 65 miliardë lekë ose mbi 4.6 për qind e Prodhimit Kombëtar. Dhe kjo shifër nuk mban parasysh mosrealizimet e mëdha në mbledhjen e të ardhurave që mund ta cojnë deficitin në nivele edhe më të larta.

Së dyti shpresa e Qeverisë së ulja e taksave do të rigjallërojë ekonominë ka pak gjasa të ndodhë. Një ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se edhe për këtë vit rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë minimale, vetëm 1.8 për qind.

Zgjedhjet i kanë vënë financat publike para një testi të fortë. Në fillim të vitit Ministria e Financave ka parashikuar se borxhi publik do të shkojë në 63.8 për qind. Por me uljen e re të taksave shifra kërcën mbi 65 për qind. Nëse Qeveria që do dalë pas 23 qershorit nuk do të ndërhyjë me masa të forta, duke rritur taksat apo shkurtuar shpenzimet, rreziku që financat publike të vendit të dalin jashtë kontrollit është i lartë.

Dhe kjo është paralajmëruar zyrtarisht nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore, të cilët e nuhatën rrezikun para se Qeveria të lanconte fushatën e uljes së taksave, kur në 15 shkurt deklaruan se kërcënimi më i madh për ekonominë shqiptare është zhballancimi i financave publike.

Top Channel