Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, deklaroi se pjesëmarja tepër e ulët e qytetarëve në zgjedhjet për deputetët e Parlamentit Europian ishte sinjali më i qartë që politikanët duhet të marrin shumë seriozisht.

”Politikanët duhet të lexojnë mirë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ata duhet të punojnë shumë më tepër për të rikthyer besimin e kroatëve tek ata. Një mesazh i qartë është edhe ai i 5% votave të pavlefshme”, deklaroi Josipoviç në mediat vendase.

Njëkohësisht, ai kërkoi që të mos nxirren mesazhe të gabuara nga rezultati i mirë në zgjedhjet europarlamentare të Roses Tomasiç, një anëtare e ekstremit të djathtë, e kujtuar për deklaratat e saj të ashpra kundër serbëve.

”Është e qartë që elektorati i saj ishte shumë më i motivuar dhe më i mirëorientuar, për të votuar këtë kandidaturë e në një situatë kur pjesëmarrja ishte e ulët, rezultati nuk është i habitshëm”, shtoi presidenti.

Kroacia mbajti më parë gjatë prillit zgjedhjet e para të historisë së saj për të zgjedhur përfaqësuesit që ajo do të dërgojë në Parlamentin Europian.

Vendi ballkanik do të shndërrohet në anëtarin e 28-të të BE-së në 1 korrik dhe automatikisht fiton të drejtën e përfaqësimit në institucionet e BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA