E vërteta e të ardhurave në buxhet

18/04/2013 00:00

Kryeministri foli në mbledhjen e radhës së qeverisë edhe për gjendjen e financave publike. Duke referuar pjesërisht një raport të Komisionit Europian, zoti Berisha dha versionin e tij për gjendjen financiare të qeverisë.

Dy muajt e parë të vitit 2013, thotë, të ardhurat u rritën me 0.8 përqind, e vërteta është që në 3 muajt e parë të ardhurat janë rritur me mbi 3.5 përqind. Pra nëse trendi i 2012 ishte ulja, trendi i 2013 është rritja e qartë”, deklaroi Berisha.

Kryeministri është korrekt për shifrat e dymujorit të parë, që është dhe pjesa në të cilën i referohet raportit të komisionit europian. Në dy muajt e parë të vitit të ardhurat totale në buxhet ishin 49.96 miliardë lekë ose 0.8 për qind më të larta se një vit më parë. Kjo për shkak të rritjes së lartë në janar që erdhi jo nga taksat, por nga burimet e tjera me karakter të paqëndrueshëm si tarifat apo dhe fitimi i bankës së shqipërisë.

Por versioni i kryeministrit për shifrat e tremujorit, jo vetëm që nuk është korrekt, por jep një pasqyrë krejtësisht të përmbysur të realitetit. Top Channel i referohet të dhënave zyrtare që publikon vetë qeveria, përkatësisht ministria e financave, që është dhe autoriteti i vetëm zyrtar i njohur nga ligji për publikimin e treguesve fiskal në Republikën e Shqipërisë.

Sipas këtyre të dhënave, për tremujorin e parë të këtij viti, ardhurat totale të buxhetit ishin 75.5 miliardë lekë nga 78.5 miliardë që ishin në të njëtën periudhë të vitit të kaluar.  Sic duket qartë të ardhurat e buxhetit nuk janë rritur me 3.5 për qind sic deklaroi kryeministri, por kanë rënë me 3.8 për qind.

Ky është rezultati më i keq që nga viti 2009, kur vetëm për shkak të inflacionit të ardhurat duhet të ishin rritur minimalisht me 10 për qind krahasuar me tre vjet më parë.

Ndaj, sic tregojnë qartë shifrat e vetë qeverisë, trendi i 2013-ës nuk është në ngjitje ashtu sikurse thotë kryeministri, por përkundrazi është pikiata më e fortë që buxheti i shtetit ka parë prej shumë vitesh. 

Buxheti në pikiatë 

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se gjendja financiare e Qeverisë po
përkeqësohet me shpejtësi. Në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat e
mbledhura në buxhet ishin në total vetëm 75.5 miliardë. 

Kjo është shifra më e ulët që nga viti 2009, një fenomen me të cilin buxheti i shtetit nuk ështe përballur asnjëherë më parë.

Sipas Ministrisë së Financave, krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat në tremujorin e parë të këtij viti janë 3.8 për qind më të ulëta. Pasqyrat e detajuara financiare të Qeverisë tregojnë se ky përkeqësim i dedikohet kryesisht rënies së të ardhurave nga taksa bazë e konsumit, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas shifrave në tre muajt e parë të këtij viti të ardhurat nga TVSH ishin gati dhjetë për qind më të ulëta se një vit më parë. Rënia e shpejtë e të ardhurave po e detyron Qeverinë të rrisë fort huamarrjen e brendshme për të financuar shpenzimet e saj. Deri në mars Ministria e Financave ka marrë 189 milionë dollarë borxh. Kjo shifër është sa 67 për qind e gjithë planit vjetor për të cilin është autorizuar nga Parlamenti duke vënë në dyshim financimin e deficitit për pjesën e mbetur të vitit.

Ekspertët thonë se rreziku që Qeveria të përfshihet nga një krizë financiare është i madh, jo vetem per shkak te renies ekonomike por edhe nga presionet elektroale mbi buxhetin e shtetit.

Top Channel