Shitet 40 milionë $ diamanti rozë

17/04/2013 21:45

Mbi 39 milionë dollarë është shifra e paguar për të marrë në zotërim diamantin rozë prej 35 karatësh, i shitur në një ankand të Christhie’s, në Nju Jork.

Diamanti i famshëm, që i përkiste koleksionit privat të Renato Angiolillo, themelues i së përditshmes “Il Tempo”, është bashkë me 23 gurë të tjerë në qendër të një beteje gjyqësore të nisur nga trashëgimtarët e botuesit.

Për këtë arsye, një prokuror në Itali heton prej 3 vjetësh çështjen në fjalë, pas denoncimit për përvetësim ilegal të bërë nga avokati i familjes së pasanikut.

Gjurmët e thesarit, vlera e të cilit konsiderohet mbi 100 milionë euro, ishin humbur pas vdekjes së Maria Girani, bashkëshortja e dytë e Angiolillos, në vitin 2009 në Romë.

Avokati kishte bërë një kërkesë në prokurori për të siguruar përmes një hetimi ndërkombëtar bllokimin e shitjes së diamantit në ankand.

Në kuadër të hetimit, ku është i përfshirë edhe i biri i botuesit, karabinierët rekuperuan në një apartament në Montekarlo disa vathë dhe një gjerdan të çmuar me rubinë, që besohet se i përkisnin Angiolillos.

“Nuk mund të bëj deklarata përsa kohë ka një hetim të mbuluar nga sekreti hetimor. Por jam i sigurt se hetuesit do të bëjnë një punë të mirë dhe trashëgimtarët do të marrin atë që u takon përsa i përket dëmshpërblimit”, ka thënë avokati Luigi Iosa.

Çështja në fjalë duket si një skenar i denjë për filmat me detektivët klasikë, si ata me Hercules Poirot të penës së Agatha Christie, apo të Sherlock Holmes, nga i famshmi Arthur Conan Doyle.

Top Channel