Vera, trashëgimia që na vjen nga mijëvjeçarët

16/04/2013 18:30

Vera është një pije alkoolike që e ka marrë emrin nga gjuha latine: vinum!

Informacionet e sotme nga testet kimike të poçeve të lashta tregojnë se vera prodhohej rreth 7000 vjet përpara në Iranin e sotëm. Ndërkohë, dëshmi më të hershme mbi pijen e verës lokalizohen pranë qytetit të Urmias.

Kjo zonë dallohej për prodhimin e grurit, ndërkohë që pija më popullore ka qenë birra. Vera ishte pija kryesore në ceremoni dhe në festa.

Fragmente të prodhimit të verës kanë qenë të pikturuara në mure varresh. Sipas informacioneve të publikuara në media nga studiuesit, rritja e rrushit dhe prodhimi i verës u përhap në Europë kryesisht gjaë periudhës greke dhe romake.

Ndër vite, vera është shndërruar në një simbol. Ajo përdoret në ceremonite fetare të shumë kulturave duke simbolizur gjakun e Krishtit. Ndryshe nga produkte të tjera, gjatë shijimit personi mund të jetë në gjendje të kuptojë varietetin e terrenit, klimës dhe kushteve ku është rritur rrushi, duke e bërë verën të ketë një shumëllojshmëri shijesh.

Efektet mjekësore të verës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë subjekt i studimeve dhe debateve të vazhdueshme. Në SHBA, një rritje e madhe e konsumit të verës së kuqe është vënë re rreth viteve ’90.

Sipas studiuesve, konsumimi i një vere të mirë ul vdekshmërinë, megjithatë duhet pasur kujdes që të mos e teprojmë sepse alkooli i tepërt mund të na shkatojë probleme shëndetësore.

World Best Sommelier

57 kandidatë nga 57 vende të ndryshme të botës ishin pjesë e një prej evenimenteve më të rëndësishme të Somelierisë botërore.

World Best Somelier 2013 ishte konkursi i zhvilluar në Tokyo nga data 26-29 mars.
Konkursi zhvillohet çdo 3 vjet për të përzgjedhur më të mirin e më të mirëve. Delegacioni i çdo vendi përfaqësohej nga kandidati në konkurim dhe presidenti. Kompeticioni i parë i këtyre përmasave në Tokyo është realizuar për herë të parë në 1995-ën, ndërsa në edicionin e 14-të u mirëprit edhe Shqipëria. Ky vit shënon edhe pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë kompeticion.

Ilir Lagji ishte kandidati nga Durrësi i cili kishte fituar vendin e parë ndër të gjithë kandidatët e tjerë në vendin tonë si someljeri më i mirë shqiptar. Ai pati fatin të na përfaqësojë denjësisht duke arritur deri në çerekfinale.  

Përgatitje maksimale, emocione të forta, impenjim dhe vëmendje totale ndaj çdo detaji viheshin re që në vështrimin e parë të konkurrentëve në çdo fazë. Sipas pjesëmarrësve dhe njërit prej ish-someljerëve më të mirë, 2 janë gjërat më të rëndësishme në këtë konkurs: së pari, përgatitja paraprake dhe së dyti ruajtja e qetësisë.

Provimi ndahej në tre faza: Shkrim, Degustim, Dekantim.
 
Megjithatë përzgjedhja e someljerit më të mirë në të gjithë botën nuk ishte qëllimi i vetëm. Shkëmbimi i eksperiencave mes përfaqësuesve është një tjetër pikë e fortë e këtij organizimi.

Eventi ka qëllim promovimin e profesionistëve të verës, apo siç njihen ndryshe Somelierët. Ndër të tjera synohet edhe njohja e publikut të gjerë me profesionin dhe pasionin e njerëzve që shpenzojnë shumë kohë për të arritur perfeksionin. Gjatë konkursit ka shkëmbim eksperiancash me kandidatët e vendeve pjesëmarrëse si edhe pretendohet që të ketë një përmirësim të shërbimit të cilësisë, në mënyrë që restoranti të mos jetë vetëm një vend ku mund të hamë, por një vend ku mund të reflektohet edhe kultura e individit, pse jo edhe ajo kombëtare.

Në ditën e fundit u përzgjodh edhe fituesi i çmimit të parë. 47-vjeçari Paolo Basso ishte zvicerani, i cili arriti të triumfojë në këtë event. Ndërkohë 2 finalistët e tjerë ishin Veronik Rives nga Kanadaja dhe Aristid Spais nga Belgjika.

Veronik ishte femra e parë që arriti të ngjitej në podiumin e finalistëve në të gjithë historinë e kampionateve botërore të someljerisë.

Pas përfundimit të konkursit u zhvillua një mbrëmje gala me 650 të ftuar.

Studimi, gratë konsumojnë më shumë alkool pas martese

Në ditët e sotme ka një larmishmërie pijesh alkoolike dhe jo alkoolike, me ngjyra e shije nga më të çuditshmet, aq sa ndonjëherë shndërrohet në një mision të pamundur të kuptohet se çfarë po pi.

Megjithatë, shpesh na ndodh t’i kthehemi tradicionales: raki, birrë apo verë. Rezultatet e një studimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregojnë se kur janë në një marrëdhënie martesore, femrat konsumojnë më shumë alkool sesa kur janë beqare, ndërkohë që meshkujt e kufizojnë veten me pijet alkoolike.

Megjithatë, në rast se martesa përfundon në divorc, meshkujt janë më të prirur sesa femrat të gjejnë ngushëllim tek alkooli. Ndërsa të martuarit konsumojnë më pak alkool se beqarët dhe të divorcuarit.

Kohërat kanë ndryshuar. Nëse dikur ishin meshkujt ata që e pëlqenin më shumë verën, sot klientët më të mëdhenj të verërave janë femrat dhe kryesisht shtëpiaket. Këtë e tregon një studim në Australi.

Sipas somelierëve, meshkujt në përgjithësi kërkojnë një verë stili, të shijshme, por të fortë. Ata nuk shkojnë shumë pas emrit të verës apo pas sugjerimeve të personave që e rrethojnë. Ata janë besnikë të shijes dhe verës që ata vetë e konsiderojnë si më të mirë. Kurse femrat marrin parasysh krahinën ku është prodhuar vera dhe përshtatshmërinë me ushqimin.

Top Channel