Taksa e makinave te vjetra

16/04/2013 00:00

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi projekligjin që përgjysmon taksën vjetore për automjetet e përdorura.
Në ligj Qeveria ka parashikuar të falë edhe evazorët, të cilët i janë shmangur pagimit të taksës.

“Të gjithë ata individë që nuk e kanë paguar ende taksën e mjeteve të përdorura, në momentin kur ligji është futur në fuqi, për ta do të mund të aplikohet taksa e re, formula e re, pra gjysma e saj c’kanë paguar deri më sot”, thotë zëvendësiministri i Financave, Alfred Rrushaj.

Doza e amnistisë u shtua, kur deputeti demokrat Sherefedin Shehu propozoi që atyre t’u falen edhe penalitetet nëse e paguajnë taksën deri ne 30 qershor, një javë pas zgjedhjeve.

“Propozoj që të shtohet një fjali. Në rast se pagesa bëhet brenda datës 30 qershor 2013, ata përjashtohen edhe nga penalitetet për vonesë në pagesë”, tha Shehu.

Taksa vjetore për automjetet e përdorura u vendos nga Qeveria tre vjet më parë.Nga kjo taksë buxheti mbledh rreth rreth 5 miliardë lekë në vit.

“Ne atëherë kemi qenë kundër dhe ju kemi thënë se po ndikoni drejtpërdrejt në buxhetet e ekonomive familjare. Me përllogaritjet e tre viteve, ju i keni marrë 7.5 miliardë lekë të reja familjeve shqiptare dhe vini dhe rrihni duart dhe bëni sikur këtë taksë e kemi vendosur ne dhe jo ju”, tha Brace.

Opozita votoi pro ligjit në parim, por kundërshtoi nenin që amniston evazorët. Erjon Braçe tha se falja është e pamoralshme.

Veç taksës së makinave, Komisioni hoqi dhe tatimin 10 për qind për shitjblerjen e tokës bujqësore, një masë që sipas Qeverisë nxit tregun e tokës.

Top Channel