Në pamje të parë duket një njeri i qetë dhe aspak ofensiv, por brenda
xhepave fsheh një armë të veçantë, me të cilën arrin të kryejë vjedhje
të pabesueshme.

Prej disa ditësh blogjet kineze janë pushtuar nga fotot e një hajduti në lokalitetin Zhengzhou, i njohur me nofkën Wang dhe që është specialist në vjedhjen e telefonëve smart.

Për të marrë nga xhepat e “viktimave” telefonët e shtrenjtë, Wang nuk përdor mjete teknologjike grabitjeje, por dy shkopinj të thjeshtë ushqimi, si ata që përdoren për të konsumuar ushqimin në Azi.

Fenomeni Wang është kthyer në një temë të vërtetë, pasi një prej peripecive të tij të fundit u postua në Weibbo, siç njihet ndryshe Twitter-i kinez.

Në foto duket hajduti, i veshur me xhaketë dhe atlete, që i afrohet një vajze me biçikletë dhe pasi nxjerr shkopinjtë i rrëmben celularin vajzës, e cila asqë e vë re veprimin.

Mbi 1.4 milionë mesazhe janë postuar në rrjetin social kinez për të komentuar veprimet e Wang. Por fama nuk i ka shërbyer shumë hajdutit.

Pasi ka parë fytyrën e tij në të gjitha gazetat e mediat kineze, Wang ka vendosur, të paktën për momentin, t’i japë fund karrierës prej xhepisti.

Kështu, më 9 prill ai është paraqitur në një stacion policie dhe është vetëdorëzuar. Aty ai ka treguar se kishte kryer vjedhje të tilla me shkopinjtë e tij vetëm sepse nuk dinte si të ushqente vajzën e tij të vogël.

Top Channel