‘Kurum’ në kërkim të parave

15/04/2013 00:00

Një muaj pas miratimit të kontratës për shitjen e katër hidrocentraleve
në Parlament, kompania e shpallur fituese në tender, turkja ‘Kurum’
është nën negociata për të gjetur financime.

Top Channel ka mësuar se së fundmi, ‘Kurum’ ka hyrë në bisedime edhe me korporatën financiare ndërkombëtare, krahu privat i Bankës Botërore. Burime jozyrtare thonë se në negociata janë duke u diskutuar disa opsione, që përfshijnë mes të tjerash financim në formën e kredisë direkte, por edhe një pjesëmarrje e mundshme të IFC si aksionere kundrejt financimit përkatës.

Lajmi se mes të dy palëve po zhvillohen bisedime konfrimohet edhe nga burime brenda IFC. Por ato thonë për Top Channel se negociatat janë ende në fazë fillestare dhe mohojnë që të jetë diskutuar deri më tani për ndonjë formë konkrete financimi përfshirë edhe atë të blerjes së aksioneve nga IFC.

Gjithsesi të njëjtat burime nuk e përjashtojnë që një opsion i tillë mund të jetë pjesë e diskutimeve në të ardhmen edhe pse shprehen skeptike. Përfshirja e IFC-së, si aksionere ngre pikëpyetje jo të vogla mbi procesin e privatizimit të katër hidrocentraleve.

Kjo pasi IFC ishte konsulentja ligjore e Qeverisë në privatizimin e tyre, çka do krijonte premisa per nje konflikt interesi, i cili gjithsesi deri tani mbetet një skenar i pakonfirmuar zyrtarisht. Tenderi për shitjen e katër hidrocentraleve dy Bistricave dhe Ulëz Shkopetit u zhvillua në fund të vitit të kaluar. Në të u shpall fituese kompani ‘Kurum’, e cila ofroi 109 milionë euro për blerjen e tyre. Në mars Parlamenti miratoi dhe kontratën e shitjes, e cila i lë afat kompanisë rreth 3 muaj për të shlyer pagesën përkatëse, edhe pse Qeveria nxitoi të miratonte përdorimin e këtyre fondeve ende pa i arkëtuar duke rritur kufirin e investimeve në buxhet.

Top Channel