Rritet eksporti i energjisë

13/04/2013 00:00

Përmirësimi i situatës hidrike në kaskadën e Drinit ka rikthyer
eksportet masive të energjisë elektrike. Muajin e kaluar KESH eksportoi
rreth 2.5 milionë euro energji elektrike, ndërsa në prill fatura totale e
kontraktuar shkon në 8 milionë euro.

Burime nga KESH thonë për Top Channel se prodhimi i energjisë ka arritur rekordin historik prej 30 milionë kilovat orë në ditë, falë reshjeve masive, por edhe agregatëve të prodhimit në HEC-e, gjendja e mirë e të cilëve ka lejuar funksionimin e tyre me kapacitet maksimal.

Nga kjo sasi 21 milionë shkon për mbulimin e konsumit në vend, ndërsa pjesa tjetër prej 8 apo 9 milionë kilovat orë në ditë eksportohet ose depozitohet në formë shkëmbimi. Ritmet e larta të eksporteve pritet të ruhen edhe në muajt pasardhës, për shkak të rezervës së bollshme në kaskadë.

Ekspertët e KESH vlerësojnë se në maj fatura e shitjes së energjisë jashtë pritet të jetë edhe më e lartë se ajo e këtij muaji. Me këto ritme në vetëm 2 muaj e gjysmë Korporata arkëton nga eksporti më shumë se 20 milionë euro dhe kjo është sa 1 e katërta e parave që Qeveria mori nga shitja e katër hidrocentraleve, pak kohë më parë.

Nëse situata në kaskadë do të jetë e mirë, me gjasa në vetëm pak muaj eksportet e energjisë mund ta tejkalojnë vlerën totale të shitjes së dy Bistricave dhe Ulëz Shkopetit prej 109 milionë euro. Pasi vetëm tre vjet më parë, të ardhurat e KESH nga eksporti i energjisë arritën deri në 120 milionë euro. Një argument ky që rikthen debatin jo vetëm politik, nëse shitja e shumëdebatuar e këtyre aseteve ishte për qytetarët dhe ekonominë kombëtare, një biznes fitimprurës apo një vendim me kosto, i diktuar nga nevojat afatshkurtra të Qeverisë për para në prag zgjedhjeve të përgjithshme.   
 

Top Channel