Tregtia Shqipëri-Kosovë

12/04/2013 00:20

Pas asaj që u komentua si “luftë tregtare”, mes Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të politikës, doganave dhe biznesit të të dy vendeve deklaruan se, për të shmangur çdo keqkuptim në shkëmbimet tregtare, nevojitet zbatimi i ligjit.

“Kemi ligje jashtëzakonisht të mira, mirëpo duhet t’i zbatojmë ato. Kemi pasur disa herë edhe keqkuptime, duke nisur që nga patatja e deri te momenti i fundit i midhit, këto gjëra janë të papranueshme”, tha Sulejman Selimi, ambasador i Republikës së Kosovës.

Në takimin, e thirrur nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, të dyja palët ranë dakord, që zhdoganimi i mallit të kryhet brenda vendit, duke zhdukur kështu radhët e gjata të kamionëve, që presin në kufirin e Morinës.

“Po bëjmë një shkëmbim elektronik në kohë rekord të të dhënave, me anë të të cilit do të bëjmë që ai vendkalim të mos përdoret më si vendkalim për zhdoganimin e mallrave, por zhdoganimet të kryhen në brendi të territorit. Si në Shqipëri, e cila ka pasur edhe më herët një sistem të tillë, por tanimë edhe në Kosovë. E zëmë se një dërgesë vjen nga Durrësi, ne në afat rekord, menjëherë sapo të shkarkohet një kontenier, me destinacion Kosovën, ne do ta kemi këtë informacion dhe do ta lejojmë të futet në brendi të territorit të Kosovës dhe jo të presë në kufi”, tha Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës.

“Besojmë që në fund të muajit prill do të fillojmë testimin për këtë problem dhe nga 15 ditëshi i dytë i muajit maj mund të bëhet efektiv”, tha Flamur Gjyrmishka, drejtor i Doganave të Shqipërisë.

Për të shmangur problemet si në rastin e qumështit, për përfaqësuesit e Biznesit të Kosovës është e nevojshme, që bizneset t’u nënshtrohen rregullave të importit dhe sigurisë ushqimore.

“Problemet që mund të lindin në kufi dhe nuk i plotësojnë standardet e importit, mund të ndodhin edhe nesër, por bizneset duhet t’i nënshtrohen rregullave të importit dhe kontrollit të ushqimit”, u shpreh Agim Shahini, Aleanca e Biznesit, Kosovë.

Top Channel