Përmbaruesit thonë se ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Civile do
të zhbllokojnë tregun e pronave që janë sekuestruar per llogari te
bankave për mosshlyerjen e kredive.

“Ligji i mëparshëm nuk ka qenë aq efikas dhe kjo ka bërë që një pjesë e një pronave të regjistrohen dhe të mos kalojnë as nga banka dhe as të mos njihen më debitorët. Ka bërë që ka rritur pjesën e stokut dhe në rast se ndryshimet do të arrijnë deri në 40 për qind të realizohen, atëherë do të ketë një ndryshim në shitjen e aseteve të vëna garanci për llogari të bankave”, thotë Kryetari i Dhomës së Përmbaruesve, Petrit Qarri.

Qarri, thotë se tregu kishte hyrë në ngërç edhe për një arsye tjetër, atë që ka të bëjë me pezullimin e ankandeve nga gjykatat.

“Do të thoja që ishte bërë gangrenë. Po të hysh të shohësh me kujdes në lidhje me përqindjen numrin e dosjeve, do të gjesh që një përqindje më e madhe janë dosje të pezulluara me kreditorë banke”, thotë Qarri.

Rritja e shpejtë e kredive të këqija ka krijuar një stok jo të vogël me prona të sekuestruara. Në vlerë, pjesa më e madhe e tyre vjen nga bizneset që nuk kanë shlyer kreditë.

“Pjesën më të madhe e zenë kreditë e kompanive, se janë ato që kanë marrë më shumë, ndërsa debitorë më të shumtë janë personat fizikë”, thotë Qarri.

Kodi i ri i Procedurës Civile i jep të drejtë bankave ta ulin çmimin e pronës deri në 40 për qind të vlerës dhe e bën të pamundur për humarrësit që të ankimojnë procesin në gjykatë me shpresën për të bllokuar shitjen. Ndryshimet e hartuara nga Banka e Shqipërisë me ndihmën e Bankës Botërore, pritet të votohen të hënën në Parlament.

Top Channel