Bamir Topi në Top Show: Qendra e tij

11/04/2013 01:00

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Prof. Dr. Bamir Topi, ka qenë i ftuari i radhës në Top-Channel, në emisionin Top Show të moderatorit Alban Dudushi.

Temat për të cilat është diskutuar kanë qenë situata politike në vend,
poli i qendrës, aleancat para dhe pas zgjedhore, si dhe reformimi dhe e
ardhmja e së djathtës shqiptare. Të ftuar në panel kanë qenë edhe
analistët: Henri Çili, Robert Rakipllari dhe Mentor Nazarko.

Nga faktori B te plani B.

“Ky është përcaktimi juaj, por po e marrim të mirëqenë meqë parashikimi juaj para 6 viteve rezultoi i saktë. Nisur nga rrethana paraprake dhe biseda kokë më koë, unë dola në emisionin tuaj për të shfaqur qendrimin tim. Unë dua t’i rikthehem kandidimit tim, për president. Kryetari i PD-së konsideroi kandidaturën time si kandidaturë të mazhorancës, por në fakt ishte kandidaturë e PD-së, pasi nuk kishte mbështetjen e shumicës. Natyrisht, si president, u zotova të mos dominonin emocionet politike, por të zbatoja Kushtetutën, gjë që shpresoj ta bëjnë të gjithë në vazhdim”, u shpreh Topi.

“Topi rezultoi presidenca e fundit me përpjekje konsensuale, në qoftë se e konsiderojmë kështu, dhe ndoshta këtu e gjej burimin e legjitimitetit, që Topi i ka dhënë më shumë shtysë jetës politike. Bamiri ishte presidenti i parë nga Shqipëria e Mesme, ndaj dhe kapitali politik e harmonia e profilit të tij e bëjnë atë ndoshta personin kyc të zgjedhjeve të 23 qershorit, pavarësisht vëmendjes së kthyer së fundi te LSI-ja”, deklaroi Cili.

“Bamir Topi iu imponua mazhorancës për t’u bërë president, në njëfarë mënyre, për shkak të rrethanave të krijuara në atë moment. Është nga të paktët persona nga PD, nga ’91, që ka krijuar një grup alternativ te e djathta, pasi kundërshtarët e PD-së në të kaluarën ose janë përjashtuar pa mbështetës, ose janë nënshtruar. Ndërsa Topi, me profilin e tij iu imponua mazhorancës, duke u emëruar në postin më të lartë”, shprehet Rakipllari.

“Topi president rezultoi njëfarë reformimi i së djathtës, që vazhdon edhe sot, pasi me Kushtetutën e 2008 e impononte dicka të tillë”, shtoi Cili.

Precedenti: Presidenti qëndron në politikë

Ka qenë vetëm Berisha, president i cili vazhdon të qëndrojë edhe sot në politikë.

“Ka qenë Berisha që i ka fryrë zjarrit dhe ka kërkuar prishjen e influencës time politike, por besoj se nuk ka patur asnjë lloj argumenti që heq dorë nga politika. Unë nuk doja të rikthehesha në politikë me mandatin e deputetit, nga i cili u largova. Por jam futur në politikë për të provuar disa vlera, të cilat i kam besuar, por nga politika ose janë sabotuar, ose janë anashkaluar. Unë e shoh politikën si ish-kryetar shteti dhe momenti i parë për të cilën do të doja të flisja, janë ndryshimet kushtetuese. Ajo që kam thënë ekzaktësisht në intervistën për ju, e shohim sot: jemi duke konsumuar një gjellë të mbetur prej shumë kohësh në frigorifer, e cila po helmon politikën dhe shumë prej individëve të përfshirë në të”, sqaroi ish-presidenti Bamir Topi.

“Sot mund të shohim se Topi, nëse do të mbetej një ish, përbën një model që ofron një zë ndryshe, e megjithatë ai nuk ka dashur të qëndrojë i heshtur, por të kontribuojë edhe më shumë në politikë, duke hequr dorë nga statusi i ish-presidentit, i cili vetëm në Maqedoni është i përcaktuar qartë për përfitueshmëritë”, tha Mentor Nazarko.

Lëvizja e Metës, a mund të bëjë koalicion FRD me PD-në?

Pyetjeve të Rakipllarit, zoti Topi iu përgjigj: “Të gjitha lëvizjet e ditëve të fundit dëshmojnë se politika shqiptare ende nuk e ka fituar natyralitetin e saj. Nëse marrim jo thjesht koalicionin Berisha-Meta, por që nga 2005, partneri i parë i ftuar në politikë për koalicion ka qenë përfshirja e zotit Xhuveli, duke e bërë pikërisht atë lëvizje si pikënisje të konflikteve politike. Sot situata është agravuar më tej, pasi ai koalicion i asaj kohe nuk ishte i natyrshëm dhe i moralshëm. Për të ardhur sot, unë lëvizjen e Metës e shoh mëse të natyrshme. Kush është i majtë është i tillë, jo sepse dëshiron të quhet i tillë, por bazuar mbi disa filozofish dhe parimesh. Politika kaloi një traumë tjetër politike, pas asaj që pamë në 2008-n, kur u ndryshua jo vetëm Kushtetuta, por edhe Kodi Zgjedhor, por këtë herë sepse ndoshta ishte menduar riformatimi i koalicionin PD-LSI, gjë që nuk ndodhi, pësoi sërish një ‘krisje’ dhe brenda 1 dite cdo gjë u kthye në natyralitet. Sa i përket forcës tonë politike, jemi racionalë dhe me këmbë në tokë, jemi një parti e re, por më e strukturuara në nivel kombëtar, pasi është e organizuar në cdo njësi e cdo territor. Në krahasim me PD, ndryshojmë nga fakti se një pjesë e strukturave politike sot është në administratë. Berisha sot ka zaptuar të gjitha institucionet, me përjashtim të Prokurorisë, e cila ka ruajtur një profil të distancuar nga politika. FRD nuk do të influencohet aspak nga lëvizja e LSI-së, nuk kemi për t’u ndikuar nga bisedat e kafeneve, apo nga marrëveshjet superficiale, ku nëse nuk votohet ky, unë kaloj në këtë krah dhe nëse votohet, unë qëndroj në krahun tjetër. Lidhur me atë që ofrojnë të tjerët, ne besoj se jemi një forcë serioze në komunikim, duke mos deklaruar ende se me kë do të bëjmë aleanca nëpër kafene apo zyra. Për mua dhe kolegët e mi është e rëndëishme aleanca me qytetarin. Kemi parë edhe studio mediatike, të cilat janë 100% të dedikuara pushtetit, dhe këtë nuk e them për median tuaj, pasi e kam vlerësuar dhe e vlerësoj, por nuk jam këtu për të bërë këtë gjë tani”.

Nuk ka aleancë as me PD-në dhe as me PS-në deri në 23 qershor

“Ka një probabilitet, mbi parimet e ngritura prej nesh, që të hyjmë të vetëm në zgjedhje por nuk mund ta them definitivisht. Kjo, pasi nuk mund të jemi dipendent të lëvizjeve të të tjerëve, apo oshilacioneve të liderëve të tjerë. Ne jemi projektuar si një forcë e qendrës së djathtë dhe nuk kemi ku të lëvizim, janë pikërisht forca të tjera të së djathtës, të cilat kanë devijuar nga parimet dhe profilet e natyrshme, kështu që u takon atyre të lëvizin drejt vendit që i takon. Duhet të kuptoni se në momentin e krijimit të një force të re politike, kjo nuk bëhet për arrogancë, por për të ndryshuar dicka. Mund të them se gabimi i të tjerëve është se nuk mund të vish pas 4 vitesh, apo aq më keq pas 8 vitesh, e të paraqitesh në të njëjtin stad. Është e kotë të shkosh në një fushatë elektorale sërish me premtime pas 8 vitesh, por gjëja e duhur është të hedhësh vështrimin pas e të bësh bilancin e atyre që ke bërë gjatë periudhës që ke qeverisur vendin”, deklaroi Topi.

Fushë e vështirë për të luajtur vetëm, kur je forcë e re

“Varet se sa e njeh fushën dhe sa teknik je. Ajo që nuk shkon me gjykimet e palëve të tjera, është ajo që kritikohet nga ne në tërren. Kodi zgjedhor nuk njeh barazinë e votës, ndaj dhe ata që e kanë krijuar Kodin kanë një fobi ndaj tij, duke rënë edhe viktimë e tij avash avash. Disa parti kërkojnë koalicione për të siguruar përfaqësimin në parlament. Ndërsa ne kemi besim tek ajo që kemi krijuar, te fryma jonë udhëheqëse, ndaj dhe FRD do të marrë fizionominë e një force politike të rëndësishme pas 23 qershorit, atëherë kur do të provohemi në terren, duke mos e diskutuar futjen në parlament. Ata që do të përpiqen t’i bëjnë kalkulimet në tavolinë, do ta shikoni që do të jenë forcat më të zhgënjyera pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Të gjithë janë futur në një rreth vicioz, duke bërë pyetje te njëri-tjetri se si do t’i ruani votat tuaja. Ndërkombëtarët nuk janë këtu për të bërë xhiron e radhës, për të marrë dietat e radhës, por për të folur hapur, gjë që studio juaj e lejon të folurën hapur. Ata që kanë dalë nga Brukseli, Strasburgu apo Viena, ndonjëherë nuk kanë dhënë gjykimet e duhura për realitetin në Shqipëri. Sepse një i ardhur nga jashtë nuk e njeh më mirë se sa ne, aktorët realë, të aktualitetit tonë. Deklarata më asgjësuese është pikërisht kjo puna e votave, që demoralizon shoqërinë shqiptare”, deklaroi Topi.

Poli i tretë

“Cështja e polit është cështje e një qendre, që nuk mund të konsiderohet domosdoshmërisht një pol. AK, PDIU, PBDNJ janë forca probabël për të krijuar një qendër të tretë të politikës shqiptare. Kam patur vetëm një drekë me zotin Meta dhe miq të përbashkët, por nuk kemi diskutuar asnjëherë për nevojën e krijimit të një aleance të përbashkët. Shumë protagonistë politikë e kanë fryrë këtë cështje, ndoshta edhe media, por nuk ka asgjë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme”, shtoi Topi.

Lufta e majtë – e djathtë dhe ajo brenda të djathtës

“Me miqtë e mi është e vështirë të dalloj kundërshtarin më agresiv. Jam përfaqësues i qendrës së djathtë, do të vdes me këto parime, ndaj i kam qëndruar besnik. Këtë difekt e kam parë te të tjerët. Jemi duke shkuar drejt disa alkimizmave që boll të realizohet qëllimi i radhës, por duhen realizuar edhe disa karta morale. Pavarësisht deklaratave në kushte emocionale, e dini se në axhendën e parlamentit ekziston një kërkesë për komision hetimor ndaj liderit të shtetit, për ta hetuar për puc politik, edhe pse jemi në prill 2013? Megjithatë, unë nuk merrem me faktin se c’bëjnë të tjerët. Këto dy parti të vjetra kanë bërë një dëm të madh, keni parë se si janë vetëdjegur dy të persekutuar në mes të Tiranës, dhe s’ka patur asnjë lloj reagimi. Ju e dini se si po vidhet bregdeti, se si Shqipëria po shitet me 1 euro, se si nuk i lejohet pronarit të gëzojë pronën e tij. Karta e moralit politik prevalon mbi interesat e castit. Jemi në prag të 23 qershorit, por ne duam të provojmë veten tonë, ndaj nuk kemi hyrë ende në detaje se me cilët do të bëjmë koalicion. Do presim zgjedhjet e më pas do ketë vend për autokritikë”, deklaroi Topi.

“Unë e favorizoj një front të madh, për të shpëtuar vendin. Kemi një Berishë në të njëjtin rol si në vitin 1996, por s’kemi piramidat. Juve ju pamë në një deklaratë, që thoni se doni t’i jepni fund tranzicionit. Ndaj dhe, ju si një forcë politikë në garim, duhet të bëni maksimumin për këtë gjë. Nuk mund të pretendosh që e djathta të pastrohet, duke qëndruar në pushtet 50 vjet. Berisha, në mendimin tim, është armiku i tranzicionit, ndaj dhe lind pyetja: a e shihni të mundshme një front të madh kundër tij?”, pyeti Nazarko.

“Situata politike në Shqipëri komplikohet edhe në saj të vlerësimeve që merr nga analistët. Ne kemi deklaruar se me partitë e vjetra nuk bëjmë koalicion, kemi thënë edhe pse-të. Me të majtat kemi papajtueshmëri parimesh, ndërsa me PD-në na ndan cështja e moralit. Ne kemi kërkuar fundin e tranzicionit, me kusht kryesor për të bërë shtetin. Duhet bërë shtet, pasi sot fjala pushtet është bërë njësh me fjalën e 1 individi. Ne mendojmë se e djathta në Shqipëri duhet të dimensionohet, ndaj dhe kemi dalë më vete, pasi duhet të ndikojmë tek ata, që e quajnë veten të djathtë dhe nuk veprojnë si të tillë. Kemi parë njerëz që donin të aspironin ndarjen e pronave dhe kanë zaptuar pronat, ndaj dhe doni apo nuk doni ju, Shqipëria ka nevojë për rotacion politik, rotacion elitash. Në politikë nuk mund të ketë altruizëm me forcat, ndaj të cilave ke një problem të madh. Kundërshtari ynë janë deklaratat politike të kryetarit të PD-së, pasi gjithcka bazohet mbi artin e fjalës”, reagoi Topi.

Si mund të ndryshohet kjo situatë?

“Unë nuk merrem me funksionimin e partive të tjera, janë vet strukturat e atyre partive që duhet të kujdesen për të përmirësuar situatën ku janë përfshirë. Secili ka kokën mbi shpatullat e veta, ndaj le të orientohen dhe të përmirësohen”, tha Topi.

A duhet të largohet Berisha?

“Besoj se ka ardhur momenti që të largohet. Problemi është se kanë kaluar kaq vite… Përgjegjësia kryesore është e tij, që ka 22 vjet, i cili ka krijuar drama nga më tragjiket gjatë këtyre viteve, mjafton të kthejmë vështrimin pas. Është një situatë, e cila nuk mund të tejkalohet me një thënie jam me këtë apo jam me atë. Pas gjithë kësaj eksperience kaq të gjatë, jo domosdoshmërisht duhet të bëhesh me atë që nuk mund të bëhesh. Unë besoj se janë qytetarët, ata që vendosin, tashmë e kanë parë që është një e keqe e këtij vendi. Është denatyruar jo vetëm KQZ, në këtë vend, por janë denatyruar shumica e institucioneve të këtij vendi, duke kaluar edhe te reformat në drejtësi, emërimet në Gjykatën e Lartë Kushtetuese, si dhe në parlament. Njeriu më i ekspozuar ndaj jurisprudencës është kryeministri. Personi i inkriminuar me thurrjen e skenarit të pucit ndaj shtetit, është vet kryeministri. Është e pabesueshme se si një kryetar shteti bën një puc shteti. Mbas asaj ngjarjeje, që përfundoi me vrasjen e 4 individëve, u nxorr nga roli i tij Presidenti dhe më pas u sulmua edhe Shërbimi Sekret. Sulmi nuk përfundoi këtu, por ai iu fut edhe Prokurorisë. Përgjegjësia mbetet sërish në krahun e qeverisë. Nuk kam ndërhyrë kurrë në cështjet e drejtësisë, por shpresoj dhe uroj që drejtësia të marrë në konsideratë zërat e ndërkombëtarëve, të cilëve u është kërkuar fillimisht ndihmë, e më pas janë shpërfillur”, u shpreh Topi.

“Kemi parë se sot flitet, do hap 20 mijë vende pune, ndërsa tjetri hidhet do hap 30 mijë. Njëri thotë do heq këtë taksë dhe do vendos këtë taksë, ndërsa tjetri hidhet e përmend taksën tjetër. Besoj se duhet përcaktuar si një metodologji, për të parë se si ka funksionuar njëra taksë. Kemi parë se disa bizneseve të vogla u janë vënë gjoba, por gjoba në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasi janë shumë të mëdha, ndërsa disa biznese të mëdha, të cilat janë në krah të pushtetit, mund të shpëtojnë nga disa detyrime. Besoj se bizneset duhen trajtuar sipas mundësive, një biznes më i madh të taksohet më shumë, ndërsa një më i vogël të taksohet më pak”, shtoi Topi.

Kritika partive të vjetra politike

“Duke nisur nga 2008, mund të themi se ka ndodhur edhe një ngjarje tjetër e rëndë, si ajo e Gërdecit. Besoj se e keni parë situatën në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që dikush i rrihte shpatullat Berishës, duke e ngushëlluar për viktimat. Nuk besoj se ishte rasti për ta ngushëlluar dhe për ta mbështetur. Nëse unë flas për rotacion, do të doja që të mos shkojmë përpara me modele sovietike. Këtu në auditor kemi të rinj e të reja, që kanë lindur duke e parë këtë individ në pushtet dhe vazhdojnë ta kenë në pushtet edhe sot e kësaj dite. Kur flas për rotacion, e kam fjalën për rotacion elitash, pasi të dy krahët e kanë sindromin e totalitarizmit. Ndaj dhe situata në Shqipëri ka shkuar drejt bipolarizmit, për të cilën ne nuk kemi nevojë. Opozita, në vend që të merreshe me ndryshime kushtetuese në favor të shmangies së kësaj situate, në vitin 2008, shkoi edhe zgjodhi një rrugë të gabuar. Si cdo parti tjetër, edhe FRD ka synimet e veta politike. Ne duam të kemi një grup për moderacion në parlament, si dhe për kritika ndaj elitave aktuale politike. E megjithatë, verdikti do të vijë nga qytetarët dhe nuk besoj se vjen nga kafenetë apo lokalet”, vazhdoi më tej kryetari i FRD-së, Bamir Topi.

Rotacion nuk nis gjithmonë nga qeveria, a po përgatiteni për opozitë?

“Rotacionin dhe ridimensionimin e së djathtës, e shoh si interes të të gjithëve atyre që e ndjejnë veten të djathtë. Nuk e shoh këtë ndryshim elitash medoemos me kushtin e të qenit në qeveri. Pronën duam ta shohim si instrument të së drejtës themelore të ekonomisë së hapur. Kemi dëgjuar deklarata bombastike për legalizimin e ndërtesave pa leje, ndërkohë që më parë kreu i qeverisë aktuale ka bërë thirrje të gjithë njerëzve për respektimin e ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Ndaj dhe besoj se ka ardhur koha që ky individ që drejton sot të tërhiqet”, u shpreh Topi.

Efekti “Boomerang” dhe mosvotimi ndaj FRD-së?

“Nëse nuk mund të ndani stampën e komunistit, që ka teserën e vitit 1968 dhe që ka patur lidhje të ngushta me familjen e liderit të asaj kohe, atëherë është problemi juaj dhe jo problemi i imi apo i forcës time politike”, iu përgjigj Topi, zotit Rakipllari.

I vetëm akseleron mundësinë për opozitë, së bashku atë për modernizim

“Ju e dini shumë mirë, se sapo një i djathtë del kundër liderit të Partisë Demokratike, nis menjëherë nxjerrja me listë shtëpie, duke sulmuar këdo, si dhe gjithë të afërmit që ndoshta mund të jenë të punësuar në administratë, shkarkohen menjëherë. Janë disa sëmundje që duhen luftuar, por që nuk janë të dukshme për të gjithë. E megjithatë, mund të them se nuk është faji im, që për disa njerëz dita gdhihet dhe ngryset me emrin e Berishës, dita ime nuk është e lidhur me atë emër, ndaj dhe bashkëpunimi me këtë forcë politike nuk mund të sjellë fryte”, përfundoi Bamir Topi.

Top Channel