Turistët kinezë “pushtojnë” botën

10/04/2013 00:00

Operatorët globalë të turizmit paralajmërojnë se ka nisur fenomeni më i madh në këtë industri që nga koha e fluturimit të parë tregtar; turizmi kinez.

Në vitin 2015 rreth 100 milion kinezë parashikohet të bëjnë gati valixhet e të shpërndahen për turizëm në mbarë botën. Në një raport të Organizatës Botërore të Turizmit, nën varësinë e OKB-së, thuhet se në vitin 2012 turistët kinezë tejkaluan amerikanët dhe gjermanët me shpenzimet ndërkombëtare. 83 milion kinezë udhëtuan në mbarë botën duke shpenzuar në total rreth 102 miliard dollarë.

Fenomeni është përhapur me shpejtësi në Kinë, pavarësisht se autoritetet kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe për të bërë turizëm në një vend të caktuar, duhet më parë që vendi përkatës të ketë një marrëveshje me Pekinin, njohur ndryshe si “statusi i destinacionit të aprovuar”.

Destinancionet e preferuara nga turistët kinezë janë Shtetet e Bashkuara dhe Franca, por nuk mbetet pas as Koreja e Jugut. Autoritetet turistike në këtë vend raportuan se në vitin 2012 turistët tejkaluan në numër dhe shpenzime ata japonezë që historikisht përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve në këtë vend.

Për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje operatorët globalë kanë nisur të përshtaten duke shtuar prezencën e tyre në vendin e madhe aziatik si dhe duke përmirësuar shërbimet e ofruara.

Top Channel