Ligji kundër kredive të keqija

10/04/2013 00:00

Rritja e pandalshme e kredive të këqija ka krijuar një situatë alarmi
tek autoritetet. Një ditë më parë Guvernatori i Bankes Qendrore zbuloi
se i është drejtuar forcave politike të arrijnë konsensusin për të
ndryshuar Kodin e Procedurës Civile për t’i shërbyer ekzekutimit të
kredive të pakthyera.

Në lojë kanë hyrë edhe institucionet monetare ndërkombëtare, posaçërisht Banka Botërore, përfaqësuesit e të cilës një ditë më parë kanë patur takime intensive me forcat politike për të mos vonuar miratimin e ligjit, që kërkon shumicë të cilësuar në Parlament.

Por cilat janë ndryshimet që propozohen në Kodin Civil? Dy janë masat kryesore dhe lidhen të dyja me ekzekutimin e pronave të lëna peng nga humarrësit që nuk kanë shlyer kredinë. Ndryshimi i parë lehtëson procedurën e shitjes së tyre nga bankat, duke ulur çmimin final të shitjes nga 64 për qind e vlerës së pronës në 40 për qind të saj.

Kjo do të thotë se për një pronë të sekuestruar që është vlerësuar 100 mijë euro, banka lejohet ta shesë atë deri në 40 mijë euro, për të rekuperuar kredinë e pashlyer.  Ndërsa ndryshimi i dytë lidhet me zvarritjen e proceseve gjyqësore. Sipas autoriteteve, shitja e shumë pronave të sekuestruara zvarritet, pasi humarrësit e ankimojnë vendimin në gjykatë. Kjo e fundit bllokon procesin derisa të përfundojë gjyqi që mund të zgjasë me vite duke e bërë të pamundur shitjen e pronës. Në Kodin e ri, ankimimi dhe për rrjedhojë edhe bllokimi i shitjes bëhet thuajse i pamundur. Vec dy masave të propozuara në Kod, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Finanave kanë propozuar dhe një të tretë, atë që i lejon bankat private të fshijnë kreditë që nuk mund të rekuperohen më. Bëhet fjalë për kategorinë e fundit të kredive, ato që cilësohen si hua të humbura përfundimisht, totali i të cilave ka arritur 420 milionë dollarë.

Një pjesë prej tyre që plotësojnë disa kushte të caktuara dhe për të cilat janë bërë të gjitha përpjekjet ligjore për rekuperim, do të fshihen përfundimisht duke i cliruar bankat nga detyrimi për t’i mbuluar me rezerva apo për të rritur kapitalin. Ndonëse ka disa llogari parprake se sa është shuma e kredive të këqija që do të fshihen, Banka e Shqipërisë nuk i ka bërë publike ato.

Shqipëria, model para 2007

Në fund të vitit 2007 përpara se ekonomia të përfshihej nga kriza, Shqipëria ishte një vend model në shlyerjen e kredive. Sipas të dhënave zyrtare në atë kohë totali i kredive të këqija ishte vetëm 3.3 për qind. Por pasi këtij viti situata u përkeqësua dhe trendi i kredive me probleme ka qenë në rritje të pandalshme.

Në fund të vitit të kaluar shifra arriti sipas Bankës së Shqipërisë në 22.76 për qind ose e konvertuar në vlerë rreth  1 miliardë e 260 milionë dollarë. Rritja e fortë e kredive me probleme ka qenë një shqetësim konstant institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë shqiptare.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në çdo mision të tij në Shqipëri e ka cilësuar përkeqësimin e protofolit të kredisë, si një nga rreziqet më të mëdha për ekonominë dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit. Edhe Banka Botërore ka patur të njëtin qëndrim. Madje ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Civile janë hartuar me ekspertizën e këtij institucioni.

Top Channel