Shoqata Çamëria: Të enjten në protestë

09/04/2013 00:00

Shoqata Çamëria ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste ditën e enjte
përpara Parlamentit në shenjë proteste për mosmiratimin ende të
rezolutës për çështjen çame. Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, është
shqetësues fakti që Komisioni i Jashtëm nuk po mblidhet këtë të martë
dhe njëri prej relatorëve është duke bërë fushatë.

“Miratimi i kësaj rezolute, sot, duhet të jetë në plan të parë, pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame, një padrejtësie të madhe të ushtruar ndaj kombit tonë. Kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar. Për këtë arsye, Shoqata Çamëria dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ftojnë të gjithë shqiptarët ditën e enjte në orën 11 përpara parlamentit për të protestuar në mbështetje të miratimit të rezolutës. Ftojmë në këtë tubim paqësor të gjithë shqiptarët e Çamërisë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën apo janë dëbuar në një spastrim të egër etnik. Por mbi të gjitha, ftojmë çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes dhe bindjeve politike, që të shpreh vullnetin e kombit tonë për të çuar drejt zgjidhjes këtë çështje kombëtare. Ditën e enjte, në orën 11 përpara parlamentit, ne do të tregojmë se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame ka mbështetjen e të gjithë kombit, e si pasojë zvarritja taktike e saj, nuk i shërben askujt”, ka thënë Ardian Tana, kryetar i Shoqatës Çamëria.

Top Channel