PS: Projekt rezolutë për Çamërinë

08/04/2013 00:00

Projektrezoluta për Çamërinë, e propozuar nga PDIU-ja e Shpëtim Idrizit
Parlamentit shqiptar, është futur në një tjetër spirale politike.

Me një veprim surprizë Edi Rama, në emër të PS-së, propozoi një projektrezolutë alternative. Detajet, zoti Rama i bëri publike gjatë një deklarate për median, kur tha se PS-ja, çështjen çame e ka përfshirë në programin për rilindjen dhe se kjo çështje, sipas të drejtës ndërkombëtare, duhet të jetë faktor për stabilitetin.

“Ne sot duam të propozojmë një projektrezolutë alternative për adresimin e asaj që e quajnë çështje çame dhe që nuk mund të mbetet një çështje e paadresuar. Duke e konsideruar çështjen çame, si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan, duke u mbështetur në frymën e Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, ne përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar, në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për këtë i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike, në marrëdhënie diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit të Shqipërisë për ecurinë e kësaj çështjeje”, tha Rama.

Në këndvështrimin e kryetarit të PS-së Rama ka ardhur koha t’i jepet fund një heshtjeje hipokrite për çështjen çame, sikurse edhe qasjeve të nacionalizmit primitiv.

Idrizi: Zhbllokon impasin në Komisionin e Jashtëm

Lëvizjen e socialistëve e ka përshëndetur kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i cili ka deklaruar se kjo zhbllokon impasin e krijuar brenda Komisionit të Jashtëm Parlamentar.

“Përshëndesim hapjen e liderit të opozitës, ndaj çështjes çame dhe konfirmimin se Partia Socialiste nuk e ka përfshirë në programin e saj këtë çështje thjesht për ta vënë në letër. Ne vlerësojmë se ky propozim, që vjen nga Partia Socialiste, zhbllokon impasin që ishte krijuar brenda Komisionit të Jashtëm, në procesin e miratimit të Rezolutës së çështjes çame nga Parlamenti shqiptar. Vëmë në dukje tre momentet që shkojnë në të njëjtën gjatësi vale me projektin tonë; pikësëpari theksoj se baza e zgjidhjes së çështjes çame është e drejta ndërkombëtare; së dyti ne pajtohemi me faktin që kjo çështje është një çështje e pazgjidhur kombëtare dhe politike, që duhet adresuar diplomatikisht në frymën dhe me instrumentat e sipërpërmendur; së treti, çmoj përfshirja e detyrimit që Qeveria të raportojë cdo gjashtë muaj në Parlament për adresimin diplomatik të kësaj cështjeje”, tha Idrizi.

Top Channel