Ndërron jetë i mbijetuari më i moshuar i Dakaut

08/04/2013 19:25

I mbijetuari më i moshuar i kampit të përqendrimit të Dakaut, një kamp pune dhe shfarrosje në kohën e Gjermanisë naziste, Leon Stepniak, ndërroi jetë këtë të hënë në moshën 100-vjeçare.

Një prift katolik polak, Stepniak u arrestua nga Gestapo në vitin 1940, në afërsi të fshatit të Kleboviecit.

Kundër të gjitha gjasave, ai mbijetoi për pesë vjet në Dakau, kampin e vendosur në juglindje të Gjermanisë, ku besohet se u masakruan rreth 32 mijë persona.

Pasi u lëshua me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, jetëgjati u rikthye në qytetin e tij të Poznanit, ku vazhdoi të predikonte, deri kur ndërroi jetë paqësisht, në një moshë të shkuar.

Gjatë jetës si prift, Stepniak tha disa herë se tradhëgimia e kampit nuk duhet të përdoret për të ngjallur urrejte, por si një shenjë pajtimi midis dy kombeve.

Kampi i Dakaut ishte një prej më famëkeqëve të Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse i ndërtuar fillimisht si kamp pune, për të furnizuar me krah të lirë pune uzinat dhe minierat bavareze, në të u përjetuan masakra, eksperimente mjekësore mbi njerëz dhe dhunime të përbindshme.

Në lirimin e kampit, në vitin 1945, sipas dokumentave të kohës, amerikanët mbetën aq të tronditur nga imazhet që panë, sa që të përbuzur dhe shokuar nga mizoritë pushkatuan disa prej ushtarëve gjermanë që punonin në kamp pa gjyq.

Gjatë regjimit hitlerian, kleri katolik ishte një prej kategorive kryesore të dhunuara nga autoritetet naziste.

Top Channel