Bujqësia e braktisur nga bankat

08/04/2013 19:25

Kreditimi i ulët në bujqësi vështirëson punën e fermerëve duke mos i lejuar ata të kryejnë investime në këtë sektor.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, viti 2012 është mbyllur me një portofol kredie prej 56 milionë dollarësh, ose 1.5 për qind e kredisë së dhënë për ekonominë e vendit në total, prej 4 miliardë dollarësh.

“Kjo nuk mjafton, shkak janë besueshmëria pasi bujqësia ka ritëm më të ngadaltë të kthimit të vlerës së investimit krahasuar me të gjithë sektorët e tjerë, kolaterali”, ka thënë Ndoc Faslia, zv.ministër i Bujqësisë.

Por nëse krahasojmë këtë vit me vitin 2010, vërehet një rritje e vëmëndjes së bankave të nivelit të dytë për kreditimin e bujqësisë dhe agroindustrisë.

“Në tre vitet e fundit, kreditimi i sektorit bujqësor është rritur me 40 për qind”, ka saktësuar Faslia.

Këto kredi janë përqendruar në ngritjen e pemëtoreve të reja, serave diellore, blerjen e mekanikës bujqësore, ngritjen e dhomave frigoriferike për ruajtjen e prodhimit, si dhe ngritjen e fabrikave të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Top Channel