Irani, i palëkundur para bisedimeve bërthamore

05/04/2013 03:10

Irani ka mbrojtur sërish programin e debatuar bërthamor të tij, përpara raundit të ri të bisedimeve me superfuqitë botërore në Kazakistan.

Kryenegociatori Saeed Jalili tha se komuniteti global duhet të pranojë të drejtat e Teheranit për pasurimin e uraniumit. Fuqitët ndërkombëtare dyshojnë se Irani ka për objektiv zhvillimin e armëve bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon.

Irani këmbëngul se qëllimet e tij janë tërësisht civile, duke saktësuar se është e nevojshme për ta pasurimi i uraniumit, për të krijuar izotope mjekësore.

“Mendojmë se bisedimet tona mund të ecin përpara vetëm me një fjalë, e cila është pranimi i të drejtave të Iranit, vecanërisht i së drejtës për pasurimin”, tha Jalili në qytetin e Almaty-t, vendi ku do të zhvillohen bisedimet me Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, plus Gjermaninë (P5+1).

“Jemi duke folur për energji bërthamore paqësore”, theksoi ai, duke akuzuar “një grusht kombesh” se po përpiqen “t’i mohojnë të drejtat e vendeve të tjera”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha për reporterët në Madrid, të enjten, se shpreson “për një progres domethënës” nga këto negociata, duke nxitur iranianët të provojnë me fakte se programi është për qëllime paqësore.

Në raundin e kaluar në Kazakistan, në shkurt, fuqitë botërore u përpoqën të shtynin Teheranin të përgjysmonte prodhimin dhe grumbullimi i uraniumit të pasuruar të ishte 20%, masa këto që e mbajnë Iranin larg mundësisë për të krijuar armë bërthamore.

“P5+1” i kërkoi Iranit të mbyllte  impiantin nëntokësor në Fordo. Në këmbim, fuqitë botërore do të lehtësonin sanksionet e ashpra ekonomike kundër Iranit. Sanksionet e herëpashershme kanë ndrydhur ekonominë e Iranit, me shkurtimin e të ardhurave nga nafta, zhytjen e monedhës së tyre në krizë dhe rritjen e papunësisë.

Megjithatë, raportohen diferenca sinjifikante, në lidhje me dëshirën se sa larg duan të shkojnë të dyja palët, për të arritur një kompromis të pranuar bashkarisht. Në mars, presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, tha se i kishte ofruar Iranit një “zgjidhje praktike”, nëse vërtet ka qëllime paqësore për pasurimin e uraniumit, dhe jo krijimin e armëve bërthamore.

Ai nxiti vendit të ndërmarrë “hapa të menjëhershme dhe domethënëse” për të reduktuar tensionin me komunitetin ndërkombëtar. Ndërsa Izraeli paralajmëroi se do të ndalojë ushtarakisht programin e Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Top Channel