74 përqind e studentëve përjetojnë stres me norma të larta dhe 55 për qind e tyre kanë nevojë për ndihmë. Një sondazh i realizuar në 150 studentë të shkencave sociale në universitetet e kryeqytetit ka nxjerrë rezultate shokuese përsa i përket nivelit të stresit tek të rinjtë.

Të dhënat dolën përmes një pyetësori i cili bën inventarin e simptomave të stresit të hartuar nga psikologë francezë. Pyetësori u është shpërndarë studentëve nga pedagogia Elida Cangonji, pasi kjo e fundit vuri re mungesë përqendrimi dhe lodhje tek studentët të cilëve u jepte mësim. Dhe rezultati ishte vërtet tronditës. Pothuaj gjysma e studentëve të prekur nga stresi përjetonin forma të rënda të tij të cilat mund të trajtoheshin vetëm nga specialistë të shëndetit mendor.
 
Dhimbje fizike: si dhimbje koke, mesi, apo fytyrë dhe qafë të tendosur, marrje mendsh, rrahje zemre të shpeshta, ishin vetëm disa nga simptomat fizike të cilat evidentoheshin nga studentët.

Ndërsa përsa i përket simptomave te tjera psikologjike apo perceptuale, mungesa e durimit, shqetësimi për gjera të vogla, luhatja e shpeshtë e humorit, ndjesia e të frustruarit, paaftësia për tu kënaqur nga gjërat e vogla të jetës, humbja e besimit në vetvete ishin disa nga pikat e pyetësorit më të rrethuara nga të rinjtë.

Në pyetësor përfshihen një sërë simptomash të tjera si të motivacionit, sjelljes, ato intelektuale, ekzistenciale etj., rezultati i të cilave tregon dhe nivelin e stresit të përjetuar në muajin e fundit.

Stresi tek studentet është një fenomen i përhapur në botë. Sipas ‘Daily Mail’, numri i vetëvrasjeve tek studentët në Angli është rritur me 50 për qind nga viti 2007 deri në vitin 2012.

Puna, vendi ku stresohesh më shumë

Puna është shkaku kryesor i stresit në jetë dhe ka ndikim të madh në shëndetin tonë. Këto tregojnë hulumtimet më të fundit në shëndetësi në botë dhe në vendin tonë.

Në Britaninë e Madhe, studimi më i fundit vuri në pah se stresi në punë ka bërë që 10 për qind e të anketuarve të kenë mendime vetëvrasëse, ndërsa 1 në 5 persona të marrë në studim pranon se për shkak të punës ka ankthe.

Edhe në Shtetet e Bashkuara shifrat që lidhin stresin me punën janë shumë të larta. Sipas CBS, më shumë se gjysma e amerikanëve janë shumë të stresuar në punë dhe shokues është konstatimi se 1 në 6 punëtorë janë aq të zemëruar sa mund të godisnin një koleg.

Edhe në Shqipëri, sipas një studimi për stresin në punë të Insituit të Shëndetit Publik, stresi i lartë lidhej me një gjendje të përgjithshme shëndetesore më të keqe dhe konsumim të alkoolit.

Studimi është realizuar me 500 mjekë dhe mësues ku sipas të dhënave 10 përqind e tyre kanë deklaruar një nivel shumë të lartë stresi në punë. 73 për qind e të intervistuarve ishin femra dhe të anketuarit ishin nga mosha 21 deri në 60 vjeç.

Një nga përfundimet e studimit të ISHP-së ishte se stresi i përjetuar në punë është më i lartë sesa niveli i stresit në jetën e individëve.

Ndërsa nga studimi vihej re se kishte një lidhje mes nivelit të lartë të stresit dhe konsumit të alkoolit, në shumë vende perëndimore njerëzit, për të përballuar stresin në punë, marrin ilaçe për një kohë të gjatë si rezultat i presionit, produktivitetit, ideologjive të kohës që i japin rëndësi “njeriut ekonomik” dhe “njeriut eficient”, “njeriut performues” dhe konsumator. Për shembull, francezët listohen si konsumatorë të lartë të antidepresantëve. Por cilat janë profesionet më stresuese?

Megjithëse të gjithë mendojnë se profesioni i tyre është i vështirë, është bërë një diferencim për profesionet që kanë më pak ose më shumë stres. Por kjo gjë varet edhe nga shteti ku punon.

Në Amerikë profesionet më stresuese janë usharakët, zjarrfikësit dhe policët. Në Britaninë e madhe, infermieret dhe mësuesit.

Ndërkohë, sipas ‘Daily Mail’’ përgjithësisht bihet dakord se profesionet me më pak stres janë bibliotekarët, parukierët, profesorët e universitetit dhe rrobaqepësit.

Top Channel