E verbëra merr me vete qenin pas vdekjes

04/04/2013 16:35

Një e verbër fitoi faqet e para të gazetave amerikane, nëpërmjet amanetit të saj të padëgjuar në momentin e vdekjes.

Sheila Stadler, 68 vjeç, humbi gjatë javës një betejë të gjatë me kancerin.

E mbetur e verbër që në moshë të re pas një problemi shëndetësor, Sheila vazhdimisht gjatë jetës së saj ishte mësuar që të mbështetej tek qentë e specializuar, të cilët e ndihmonin të ecte dhe të gjente rrugën në qyteti e saj, në Terre Haute të Indianës.

Megjithatë, lidhja me qenin e fundit të jetës së saj ishte e veçantë dhe amaneti i saj në momentin e vdekjes ishte që ta varrosnin së bashku me qenin, pasi nuk mund të duronte dot mendimin që të shkonte në atë botë e vetme, kur të gjithë jetën kishte qenë e pandarë me shokun e saj më të mirë, qenin e quajtur “Tofi”.

Në zbatim të vullnetit të saj të fundit, familjarët helmuan qenin 5-vjeçar tek një veteriner, duke e varrosur së bashku me Sheilën.

Një histori e pabesueshme, ajo e zonjës Stadler u shndërrua në një prej më të debatuarave në shtypin rozë, pasi pronarë të shumtë kafshës e sulmuan të ndjerën për “egoizmin e pashembullt” dhe familjarët e saj për “mizori” në vrasjen e një kafshe të stërvitur dhe tërësisht të shëndetshme, që kishte të drejtë ende të jetonte e pse jo, t’i shërbente të verbërve të tjerë që mund të kishin nevojë për të.

Top Channel