Statistikat tregojnë se nga 100 aksidente në punë, 80 prej tyre shkaktohen nga vetë personi i dëmtuar. Në shumicën e industrive njerëzit kërkojnë të gjejnë shkakun fillestar ose edhe të gjejnë dikë për të fajësuar, megjithatë nëse keni arritur të shpëtoni herën e parë, ndoshta mund të mos jeni me kaq fat herën tjetër.

Sipas studimeve, ka disa arsye kryesore përse ndodhin aksidentet në punë. Cdo ditë marrim vendime të cilat mendojmë se na e bëjnë punën më efikase dhe na kursejnë kohë. Tejkalimi i disa hallkave rrit mundësinë për dëmtime gjatë punës.

Besimi i tepruar në vetvete – Shpesh mendojmë se neve nuk na ndodh asnjëherë asgjë. Ky mendim të shtyn drejt gabimeve të vogla, por që mund të rezultojnë fatale.

Të marrësh përsipër një punë pa pasur instruksionet e nevojshme – Ndonjëherë angazhohemi të bëjmë një punë edhe kur nuk kemi klasifikimin dhe njohuritë e duhura. Madje për shkak të egos ngurrojmë edhe të pyesim se si funksionon pajisja që do përdorim. Nuk është turp të pyesësh, por është turp të mos pyesësh për sigurinë tënde.

Injorimi i rregullave të sigurisë – Anashkalimi i këtyre procedurave mund të shkaktojë jo vetëm dëmtimin tuaj, por edhe të punonjësve të tjerë. Sigurimi i kushteve teknike nga kompania është po aq i domosdoshëm sa ç’është edhe zbatimi me përpikmëri i rregullave nga i gjithë stafi.

Shpërqendrimi – Të kesh probleme familjare dhe të shqetësohesh për to ndërkohë që je duke punuar, mund të rezultojë një kombinim i rrezikshëm. Ju mund të shpërqendroheni edhe kur dikush ju flet, ndërkohë që po punoni. Mos u bëni viktima në punë vetëm sepse keni hequr shikimin nga makineria.

Të dështosh në planifikimin dhe zbatimin e punës – Një nga çelësat e suksesit në punë është të zbatosh atë plan që vetë ke përcaktuar si bosht kryesor të punës që do të kryesh. Sipas të dhënave të publikuara në media, në vendet anëtare të BE-së humbasin jetën 5500   njerëz dhe 159000 humbasin jetën si rezultat i sëmundjeve që lidhen me vendin e punës.

Kostoja që lidhet me sëmundjet dhe aksidentet në vendin e punës arrijnë deri në 490 miliardë euro në vit.

“Dua të jem sërish aktiv dhe në punë”

 
Që prej 16 vjetësh Sokol Murataj jeton në karrige me rrota. Në vitin 1997, teksa ishte duke ecur me motor, një makinë e hodhi pa mëshirë në rrugë, ndërsa shoferi i saj as që ndaloi në vendin e ngjarjes.

Një ngjarje që i shkërmoqi familjen, të cilën me vështirësi Sokoli e ka ngritur sërish. Vështirësitë e jetës për Sokolin dhe familjen e tij janë të shumta. Që nga lëvizja e deri tek mbijetesa ekonomike.

Sokoli mban gjithë familjen me pensionin e tij të invaliditetit dhe rrallëherë kur punon me ndonjë projekt, ndërkohë që bashkëshortja është e papunë, ndërsa nëna pensioniste.

Fatjoni rritet çdo ditë dhe kërkesat janë më të mëdha. Sfida që të lodhin mendërisht. Por Sokoli, ashtu siç ka gjetur mënyra për t’i shpëtuar vuajtjeve të trupit, ka gjetur rrugë dhe për t’i shpëtuar vuajtjeve të mendjes: “Më parë ka qenë një rrëmujë në mendjen dhe shpirtin tim, por tani ndihem mirë falë meditimit. Kam një qetësi maksimale.”

Bashkëshortja e tij, Mimoza, mendon se e ndihmon shumë natyra e tij pozitive. Ndërsa Sokoli këmbëngul tek vullneti i tij për të gjetur mëyra për tu kujdesur për veten.

“Koli e menaxhon shumë mirë stresin. Nuk lë asnjë situatë ta vërë poshtë. Ka gjithçka nën kontroll”, thekson bashkëshortja.

Meditimi transhendental, një risi në Shqipëri edhe pse i njohur prej vitesh në botë, e ka ndihmuar të shkarkojë stresin dhe jo vetëm kaq, por edhe ta bëjë më pozitiv për jetën: “Në një muaj e gjysmë kam ndryshuar shumë dhe pres të arrij edhe më shumë në të ardhmen.”

Jeta e familjes nga Lezha pas humbjes së kryefamiljarit

Aksidentet në punë ndodhin për arsye nga më të ndryshmet. Që nga pakujdesia e punonjësit, deri tek mungesa e përgjegjësisë së sipërmarrësit për të siguruar kushtet e nevojshme teknike.

Nisen për në punë me shpresën se do të arrijnë të sigurojnë edhe për një ditë më shumë bukën e familjes, por edhe mund të dëmtohen. Në rastin më të keq mund të humbin edhe jetën.

Kjo është historia e familjes nga Lezha që humbi kryefamiljarin në një aksident gjatë punës. Zoja është bashkëshortja e të ndjerit Gjeto Lucë Lekaj, e cila së bashku me djalin e madh, Ervisin, e mori vesh lajmin nga kanalet televizive. Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe ja cilat janë detajet që familjarët kanë arritur të mësojnë rreth ngjarjes.

“Ai po stukonte në fasadën e një pallati dhe ka rënë nga vinçi. Nuk ka pasur asnjë sigurim teknik sepse ai është vinç vetëm për llaç e tulla dhe jo të vësh punëtorin sipër”, thekson njëri nga familjarët.

Humbja e personit të tyre të dashur nuk ishte fatkeqësia e vetme. Gjendja ekonomike është e vështirë dhe djemtë nuk po arrijnë dot të sigurojnë asnjë vend pune.

Jetojnë në një godinë të vjetër e pjesërisht të rrënuar, aq sa herë-herë kanë frikë se mos i zë brenda. Ëndrra e Gjetos për të ndërtuar një shtëpi të re, mbeti në mes. Megjithatë, Zoja ka edhe një tjetër merak për fjalët që kanë filluar të qarkullojnë nëpër qytet: “Thonë që ka qenë i mërzitur dhe ka rënë vetë nga vinçi. Nuk ka pasur asnjë hall familjar.”

Jetojnë me shpresën që jeta e tyre të ndryshojë sadopak. Megjithatë, asgjë nuk ka për ta zëvendësuar dot mungesën e bashkëshortit dhe babait të tre fëmijëve.

Top Channel