Rrjeti energjetik rajonal

03/04/2013 00:00

Deputetët e opozitës kërkuan përshpejtimin e procedurave të ritenderimit
të linjës së interkonjeksionit me Kosovën, e cila dështoi pas
konfliktit të palës shqiptare me financuesen e projektit, bankën
gjermane KFW.

“Dështimi i linjës dhe sabotimi i ndërtimit të linjës të Kosovës, mosfillimi dhe mosndërtimi i linjës me Maqedoninë, solli dhe ndërtimin e linjës së Italisë nëpërmjet Italisë dhe Malit të Zi, duke anashkaluar Shqipërinë, duke e nxjerrë pothuajse jashtë tregut europian. Jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë që nuk jemi të lidhur me rrjetin e europian 400 Kë”, tha deputeti i Partisë Socialiste Artan Gace.

Për deputetin demokrat Selami Xhepa, vështirësitë për realizimin në kohë të këtyre projekteve burojnë nga vështirësitë financiare të Korporatës dhe buxhetit të shtetit.

“Qeveria shqiptare i ka kërkuar institucioneve financiare, në veçanti KFW-së që është edhe institucioni financiar që ka mbështetur më fuqimisht politikat tona energjetike, që projektin e tretë në radhë pas linjës me Kosovën të kemi fuqizimin e linjës me Maqedoninë. Nga ana tjetër ne dijeninë time, dy projekte, ose dy marrëveshje janë vënë nga Qeveria shqiptare. Mendoj që panorama e fuqizimit të sistemit të transmetimit është e kompletuar. Sigurisht që vështirësi ka për ndjekjen në kohën e duhur për arsye sepse vështirësitë burojnë nga mundësitë financiare që ka qoftë korporata qoftë edhe buxheti i shtetit. Sidoqoftë unë nuk mendoj që kemi të bëjmë me neglizhimi”, tha Xhepa.

Këto diskutime u bënë në kuadër të miratimit të një projekt rezolute për vlerësimin e veprimtarisë së ERE-s, e cila u miratua me propozimet e socialistëve për inkurajimin e realizimit të projekteve publike dhe private për lidhjen e rrjetit energjetik shqiptar dhe atij rajonal.

CEZ përmirëson gjendjen

Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani deklaroi se pas largimit të çekëve dhe nën administrimin e ri, Sistemi i Shpërndarjes ka përmirësuar performancën duke rritur arkëtimet dhe ulur humbjet.

“Po të flasim në përqindje të zvogëlimit të shpenzimeve, duke parë që edhe shlyerjet janë të ndjeshme tregon se ka një përformancë se janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme shpenzimet e kompanisë”, tha kreu i ERE-s.
 
Zoti Ramadani tha se ankesat e qytetarëve pranë Zyrës së Kujdesit ndaj klienit do të analizohen dhe për të gjitha rastet e mbifaturimit do të ketë rimbursim.

Top Channel