Përdorimi i buxhetit për fushatë

01/04/2013 00:00

Në vitin zgjedhor 2009, Qeveria ndërmori një paketë të gjerë stimuluese
për ekonominë duke rritur shpenzimet publike në rekordin historik, 33
për qind e Prodhimit Kombëtar.

Kjo ishte hera e parë kur Shqipëria u përball me stimul fiskal të këtyre përmasave. Si rezultat, borxhi ceku kufirin maksimal dhe financat e vendit gati u shthurën. Por, pas mbarimit të zgjedhjeve, sapo rifitoi pushtetin, qeveria ndryshoi menjëherë kurs. Shpenzimet u rikthyen në nivele normale, ndërsa deficiti buxhetor u ul me mbi 2.5 herë.

Kujdesi me buxhetin zgjati deri në fillim të këtij viti. Tani që Shqipëria po hyn në zgjedhje, financat e vendit po tronditen sërish, këtë herë edhe më fort. Përmes disa masave të fundit, Qeveria po zyrtarizon një tjetër paketë të gjerë stimuli, ashtu si në vitin 2009.Por për shkak se nuk ka para, këtë herë po tenton ta bëjë në masën më të madhe përmes uljes së taksave.

“Ne presim një dificit prej rreth ndofta edhe 200 milionë euro në buxhet me lëvizjet fiskale që bëmë. Por presim më pas një gjallim më të madh të biznesit dhe rikthim të të ardhurave që ne do të na mungojnë”, deklaroi më 28 mars kryeministri Berisha.

Nëse uljes së taksave i shtohet edhe rritja e investimeve krahasuar me një vit më parë, si dhe paratë e privatizimeve, në total stimuli shkon rreth 400 milionë euro ose mbi 4 për qind e Prodhimit Kombëtar.
 

Kjo nuk është hera e parë kur buxheti përdoret për qëllime elektorale, ndonëse argumenti zyrtar është ai i nxitjes së ekonomisë. Por ekspertët thonë se këtë radhë rreziku për financat e vendit është më i lartë për një sërë arsyesh.

Së pari, në vitin 2009, paketa stimuluese ishte e parashikuar në buxhet dhe shpenzimet e larta në masën më të madhe nuk u financuan me borxh, por me paratë e privatizimeve. Këtë vit, Qeveria ska para dhe stimuli do shkojë drejtpërdrejt si gropë e paparashikuar në buxhetin e shtetit, pasi taksat po ulen pas miratimit të tij. Arsyeja e dytë lidhet me gjendjen e përkeqësuar të financave publike. Në 2009-ën edhe pse në rritje, borxhi ishte sërish nën kufirin 60 për qind.

Sot shifra sipas vetë Ministrisë së Financave po tenton nivelin 64 për qind. Me uljet e reja të taksave, dhe hapsirat e kufizuara të Qeverisë për të shkurtuar shpenzimet, rreziku është që borxhi publik të kërcejë dukshëm mbi këtë nivel. Dhe kjo vetëm disa muaj pasi Qeveria hoqi ligjin që e pengonte atë ta rriste huamarrjen mbi 60 për qind. Përgjithësisht vitet zgjedhore kanë qene gjithmonë kërcënim për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Por këtë herë, testi duket më i fortë dhe rreziku se financat mund të shthuren është parlajmëruar zyrtarisht si nga FMN ashtu dhe Banka Botërore.  

Top Channel