Heqja e TVSH-së për makineritë

01/04/2013 00:00

Ligji për heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara nuk ka nisur ende
zbatimin, duke bërë që bizneset që përfitojnë prej tij të vazhdojnë të
paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar për pajisjet dhe makineritë që
importojnë.

“Ky ligj është shumë i rëndësishëm për lehtësimin e bizneseve që operojnë në vendin tonë, duke nisur që nga ata fasonë apo regjim përpunim-aktiv, ndërtuesit e hidrocentraleve, furnizuesit e hekurit dhe të çimentos. Por që të fillojë të zbatohet një ligj duhet patjetër të miratohen edhe aktet ligjore dhe nënligjore në zbatim të këtij ligji. Aktualisht është miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave dhe me botimin e këtij vendimi të Këshillit të Ministrave ne do të fillojmë blerjen e procedurave për zbatimin e tij në doganë”, tha Mirela Meko, zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Doganave.

Krahas detajeve të zbatimit të ligji, aktet nënligjore përcaktojnë edhe listën e makinerive dhe pajisjeve që përfitojnë heqje të TVSH-së.
 
“Eshtë marrë mendimi i biznesit, është marrë mendimi i gjithë Këshillit Konsultativ të Biznesit, të cilët mendimet e tyre i kanë dërguar nëpërmjet e-mail-eve dhe janë përmbledhur të gjitha mendimet dhe sugjerimet, të cilat janë reflektuar në vendimin e Këshillit të Ministrave që shoqërohet së bashku me listën e makinerive përkatëse dhe pajisjeve. Listën do ta kemi gati bashkëlidhur vendimit të Këshillit të Ministrave”, tha Meko.

Por anëtarë të Këshillit Konsultativ të Biznesit thonë se lista e makinerive dhe pajisjeve që përjashtohen nga TVSH-ja nuk është diskutuar në mbledhjen e këtij këshilli e cila është lajmëruar tre herë dhe është anuluar.

Top Channel