160 vjet nga lindja e Van Gogh

30/03/2013 18:25

Janë të shumtë artistët që gjatë jetës kanë qenë të pakuptuar në gjenialitetin e tyre. Kanë jetuar në trishtim e varfëri, shpesh me funde tragjike, për t’u ngjitur pas vdekjes, në majat më të larta të artit. Artistët e mallkuar.

Vincent Van Gogh është njëri prej tyre. Piktori post-impresionist hollandez, që sa ishte në jetë thuhet se nuk arriti të shiste punët e tij, sot është ndër artistët më të mirë të fushës, me piktura që vlerësohen me dhjetra miliona dollarë dhe 160 vjet pas lindjes së tij kujtohet në mbarë botën.

Van Gogh lindi më 30 mars të 1853, në Groot Zundert të Hollandës, me baba pastor dhe nënë artiste, nga e cila trashëgoi dhe dashurinë për pikturën.

Pas një sërë punësh si tregtar arti, mësues e predikues, Van Gogh vendos t’i dedikohet artit në moshën 27-vjeçare. Teknikën e mësoi kryesisht në mënyrë autodidakte.

Aktiviteti i tij u zhvillua në 10-vjeçarin mes 1880-1890-ës, viti i ndarjes nga jeta. Punët më të mira ai i bëri gjatë dy viteve të fundit të saj.

Jetoi kryesisht mes Hollandës dhe Francës, vend ky i fundit ku jetonte vëllai i tij Theo, me të cilin kishte një raport të shkëlqyer. Letërkëmbimi me të ka shërbyer si një burim i shkëlqyer për studjuesit, për t’i ndërtuar biografinë.

Van Gogh pati një jetë të vështirë edhe për shkak të sëmundjes së tij mendore. Ai u shtrua në spitale psikiatrike. Jetoi histori dashurie të komplikuara me gra, të cilat kishin jetë të mbushura me probleme.

I njohur është epsiodi kur pas një zenke me mikun e tij, piktorin francez Gaughen, preu veshin e majtë dhe me pas ia dha atë një prostitute që frekuentonte. U vetëvra me armë me një të shtënë në gjoks, për t’u ndarë nga jeta dy dite më pas në krahët e të vëllait, në 1890-ën në Francë.

Me gjithë vështirësitë e jetës dhe realitetin e trishtë që e shoqëroi me mungesën e vlerësimit, ai realizoi mbi 840 piktura dhe më shumë se 1000 vizatime. Zhvilloi një stil unik me penelata ekspresive dhe ngjyra të qarta dhe të forta, duke frymëzuar breza të tërë artistësh.

Top Channel