Zhbllokohet mielli kosovar

29/03/2013 00:00

Ambasadori i Kosovës, Sulejman Selimi, ka kërkuar t’i jepet fund bllokadës së produkteve të Kosovës dhe Shqipërisë duke e quajtur të pakuptimtë bllokimin e miellit të Kosovës, por në të njëjtën kohë duke lëshuar kritika edhe ndaj bllokimit të qumështit shqiptar nga autoritetet e Kosovës.

“Këto janë gjëra të pakuptimta. Kurrë nuk është kërkuar certifikatë për miellin dhe mendoj se duhet të kemi një treg të lirë mes nesh”, theksoi Selimi.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Faslia, tha se pas kryerjes së analizës së aflatoksinës, e cila rezultoi brenda standardeve, dogana shqiptare ka zhbllokuar sasinë e miellit të ardhur nga Kosova: “Ka qenë një bllokim për verifikim për sasinë e miellit që kalon nga Serbia në Kosovë dhe Shqipëri. Ka pasur sinjale se ky miell përmban metale të rënda të misrit dhe e kemi bllokuar përkohësisht. Pas verifikimeve u pa se çdo gjë është në rregull dhe mielli është zhbllokuar.”

Pas alarmit lidhur me qumështin me aflatoksinë, Ministria e Bujqësisë urdhëroi shtimin e masave për të parandaluar praninë e substancës së dëmshme në qumësht dhe ushqime të tjera. Një nga pikat e këtij urdhri është ndalimi i  importit të  produkteve  të cilat janë të pashoqëruara me certifikatën e analizës së aflatoksinës. Kjo ishte arsyeja për të cilën dy ditë më parë dogana shqiptare bllokoi 135 ton miell që hynte nga Kosova në Shqipëri.

Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi doganat e Kosovës kthyen 23 ton qumësht prodhim shqiptar, çka u komentua si nisja e një lufte tregtare mes dy vendeve.

 

Top Channel