Rama prezanton “Rilindjen” në Fier

29/03/2013 00:00

Për më shmë se dy orë, qyetarët e Fierit kanë dëgjuar drejtuesit më të lartë të PS, të cilët kanë shpalosur me detaje programin për një Rilindje Kombëtare dhe se si do të jenë në qeverisjen socialiste rendi, biznesi, ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe diplomacia.

Edi Rama tha, gjatë konferencës rajonale, se Berisha s’mund të bëhët një yll “X-Factor”-i, duke kopjuar programin e PS. Sipas kryesocialistit, kryeministri tashmë është një “ik factor”, që se di se çfarë është Shqipëria reale, por ka nisur të bëjë fushatë me propozimet e PS. Ai u ndal edhe në temën e preferuar të kryeministrit Berisha, albanofobinë.

“Nuk ka albanofobi! Ka miellofobi të kryeministrit, ka patatofobi të kryeministrit, ka çimentofobi të kryeministrit, ndaj produkteve që shfaqen në kufi nga Kosova. Ja pse ne do bëjmë bashkimin doganor me Kosovën. Ja pse për ne, çdo produkt do kalojë nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë, siç kalon nga Fieri në Vlorë dhe nga Vlora në Fier. Ai kufi nuk do të ekzistojë për produktet bujqësore, blegtorale dhe çdo produkt tjetër të prodhuar nga shqiptarët këtej dhe andej kufirit”, u shpreh Rama.

Rama tha se projekti i Rilindjes Shqiptare nis nga rilindja e fshatit, nga domosdoshmëria që ky vend të prodhojë ushqim, pasi është e patolerueshme një defiçit tregtar, që ne të eksportojmë 1 dhe të importojmë 9.

“Kam mbështetur, thotë, 42 mijë familje fermere. Kjo është e gënjeshtërt! Megjithatë, edhe sikur të ishte, janë 324 mijë familje fermere në Shqipëri dhe janë mbështetur 5250 ferma në vit, domethënë 1/6-ta e të gjithë fermave në gjithë vendin. Kjo do të thotë që duhet të presim, në rast se shpresojnë, kush shpreson, që të vijë dita që kryeministri të bëhet 125 vjeç. Unë do doja shumë, që të bëhej 150 vjeç, vetëm për të parë me sytë e tij se çfarë transformimi të madh do të fillojmë ne për Shqipërinë dhe se çfarë humbje e madhe ka qenë për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët, për socialistët dhe demokratët, mbajtja në pushtet e kësaj force”, shtoi Rama.

Edhe nga Fieri Rama, për të disatën herë, ka sfiduar kryeministrin Berisha, duke i kërkuar përballjen në debate televizive, jo vetëm për shëndetësinë, por edhe për çështje të tjera që shqetësojnë sot shqiptarët.

Në këtë konferencë rajonale, folën edhe drejtues të tjerë të lartë të PS-së, përgjegjës të fushave si rendi, arsimi, shëndetësia, bujqësia etj. Programin e socialistëve për rendin e prezantoi deputeti Saimir Tahiri.

“Krimi sot është një hap para shtetit. Shifrat e veprave kriminale janë shumëfishuar ndërsa Policia e Shtetit nuk bën dot asgjë sepse është e korruptuar. Vrasjet dhe vjedhjet janë shndërruar në fenomen të përditshëm”, tha zoti Tahiri.

Më tej, deputeti socialist, duke iu referuar arrestimit e më pas lirimit nga gjykata për akuzën e trafikut të barnave mjekësore të babait të tij, e cilësoi këtë akt një sulm e presion të pastër të pushtetit që bëhet për t’i mbyllur gojën atij dhe gjithë socialistëve që denoncojnë korrupsionin qeveritar.

“Por as unë dhe asnjë nga kolegët e mi nuk i përulet sulmeve të pushtetit dhe Sali Berisha nuk i shpëton dot daljes para drejtësisë pas 23 qershorit”, tha Tahiri.

Zoti Tahiri deklaroi se me ardhjen në pushtet, Partia Socialiste do të sigurojë strehim dhe punësim për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës. 

Top Channel