Paketë masash për bankat

29/03/2013 00:00

Banka e Shqipërisë ka miratuar një paketë masash që synon të nxisë bankat private të rinisin kreditimin e ekonomisë. Top Channel ka mësuar përmbajtjen e paketës, e cila parashikon një sërë ndërhyrjesh për të nxjerrë kredinë nga ngërçi.

Vendimi i parë është ai që synon të kufizojë bankat private të investojnë jashtë shtetit përmes rritjes së kërkesës për shtim kapitali.

Për të gjitha fondet e reja që bankat do të investojnë jashtë do të jenë të detyruara të shtojnë më shumë kapital, çka e bën këtë investim një alternativë të paleverdisshme për to.

Paralelisht me këtë, banka qëndrore ka hequr koefiçentin e rrezikut për kreditë që bankat private do të japin dy vitet e ardhshme. Kreditë klasifikohen si investime me koefiçent rreziku maksimal prej 100 për qind.

Por për dy vitet e ardhshme ky koefiçent do të jetë zero, që do të thotë se bankat mund të japin kredi pa qenë nevoja të rrisin kapitalin e tyre.

Masa e dytë është ajo që tenton të nxisë ristrukturimin e kredive që në fazat e hershme kur kreditorët shfaqin sinjalet e para të paaftësisë për të shlyer huanë.

Deri më tani, nëse një bankë do të pranonte të zgjaste afatet e një kredie për një huamarrës në vështirësi, ishte e detyruar të ngrinte si fond rezervë 20 deri në 100 për qind të shumës së kredisë.

Me paketën e re për dy kategori kredish, që janë huatë standarde dhe ato në ndjekje, ku fillojnë dhe shfaqen sinjalet e para për mosshlyerje, detyrimi për të ruajtur fonde rezervë zbritet në 10 për qind.

Ndërsa masa e fundit, përmes të cilës banka qëndrore do rigjallërojë kredinë, është ajo që lehtëson kërkesat për likiuditetet që duhet të mbajnë bankat private në 15 për qind për valutën dhe 20 për qind për lekun.

Kjo paketë masash vjen në një kohë kur kredia për ekonominë ka hyrë në ngërç të plotë prej gati një viti. Përmes kësaj mase, banka qëndrore synon të ulë kostot që ka dhënia e një kredie për bankat private dhe të rrisë kostot për investimet alternative, siç është ajo e transferimit të fondeve jashtë.

Top Channel