Fushë Krujë, kapen 32 kg tritol

29/03/2013 00:00

Operacioni policor i koduar “Vazhdimësia” ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde eksplozive në një fshat të Fushë Krujës.

Eksplozivi, si dhe materiale të tjera luftarake që u gjetën në një banesë çuan në arrestimin në flagrancë të 22-vjeçarit Alfred Elezaj, me banim në fshatin Halil.

80 kallëpe tritoli 400 gramëshe janë sekuestruar së bashku me një armë gjahu dhe 100 metra fitil zjarrpërcjellës.

Pas arrestimit për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndaj 22 vjeçarit ka nisur hetimi dhe në drejtim të përfshirjes së tij në vepra penale kundër pronës me lëndë plasëse apo në tregtimin e eksplozivit për qëllime kriminale.

Në zonën e Fushë Krujës, gjatë dekadës së fundit regjistrohen dhjetra raste të përdorimit të lëndeve eksplozive si mjet për shkatërrimin e pronës private dhe publike, për motive të ndryshme, shumica e të cilave kanë mbetur ngjarje pa autor.

Top Channel