Heqja e tatimit për pagat

28/03/2013 19:45

Drafti i qeverisë që heq tatimin mbi pagat deri në 30 mijë lekë shkaktoi debate të forta në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës.

Partia Socialiste ripropozoi variantin e saj për taksën progresive, që sipas saj është më e ndershme dhe do lehtësonte 96 për qind të të punësuarve.

“Propozimi ynë u kthen shqiptarëve  65 milionë euro në vit. Ne ju sfidojmë ta votoni. Është një propozim që do të ulë taksat 5-7 herë për infermierët. Mësuesit i ulet 5-7, një polici tre herë, e kështu me radhë”, deklaroi deputeti socialist, Arben Ahmetaj.

Erjon Braçe tha se taksa e sheshtë ka krijuar padrejtësi të mëdha në treg duke marrë si shembull pagën e kryeministrit: “Nga 31 mijë që duhet të paguante, kryeministri paguan 24 mijë lekë tatim. Kjo ka bërë që paga neto e tij të jetë 86% e asaj bruto, ndërsa të gjithëëve u mbetet 79% e pagës bruto. Dua të pyes kryeministrin, pse nuk e pranon që mjekët të paguajnë vetëm 11 mijë, nga 16 mijë lekë që u merr sot çdo muaj”.

“Zotërinj mjekë, kaq e kishit rrogën në 2005-n, 197 lekë në muaj”, iu drejtuar kësaj shtrese ministri Bode. “Sot merrni neto 510 mijë. Tani merrni 26 paga në vit të pagës që merrnit në 2005 dhe vërtet mund të paguani një pagë e gjysmë taksa më shumë, por keni neto 14 paga shtesë në krahasim me atë periudhë”.

Zoti Bode tha se ishte taksa e sheshtë ajo që i mundësoi qeverisë të rrisë pagat me disa herë duke rritur mirëqënien e qytetarëve.

“Ju mundoheni të gënjeni si Kolombi me indianët dhe thoni sa paguani më shumë taksë, por jo sa marrin më shumë pagë shqiptarët dhe ky sistem është një e nuk ndahet. Pagat e larta të rritura janë pikërisht sepse sistemi taksave është ky dhe nëse thyhet, sistemi shkatërrohet”, deklaroi Bode.

“Këto të rrogave janë pallavra. E dini se me sa rrojnë 220 mijë punonjës të nivelit të ulët në Shqipëri, në bazë të vetdeklarimit të tyre. Me 176 dollarë në muaj zotërinj”, replikoi deputeti Ahmetaj.

Në fund drafti u miratua vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita kërkoi votimin e variantit të saj progresiv që qeveria nuk e pranon.

Paralelisht, Kuvendi miratoi edhe një ligj që ndalon bashkitë dhe komunat të taksojnë  antenat e celularëve si dhe ligjëroi marrëveshjen e re të koncesionit për Devollin që i kalon 100 për qind kompanisë ”Stadkraft”.

Top Channel