Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në daljen e radhës para gazetarëve deklaroi se rritja ekonomike për muajin e parë të këtij viti është tkurur në 2.2 përqind si pasojë e uljes së kërkesës për financim të individëve dhe bizneseve.

“Kërkesë e ulët e biznesit dhe individëve për financim nga bankat ka ndikuar në rritjen ekonomike që vazhdon të ulet duke shkuar në 2.2 përqind në muajin janar”, tha zoti Fullani.

Ai ka shtuar më tej se niveli i inflacionit është i ulët dhe se ai nuk prek projeksionin bazë për ecurinë e ekonomisë tonë, megjithëse ndikon në balancën e risqeve.

Guvernatori Fullani njoftoi se norma bazë e interesit do të vijojë të mbetet 3.75 përqind, ndërsa lidhur me krizën financiare që ka përfshirë Qipron dhe ndikimin e saj në Shqipëri, tha se për të bërë një vlerësim të saktë për këtë duhet pritur hapja e bankave atje.

Këto banka kanë qendruar mbyllur për disa ditë nga frika e boshatisjes së depozitave pas masave shtrënguese të qeverisë vendase imponuar nga BE dhe FMN për dhënien e huasë prej 10 miliard euro.

Megjithatë, zoti Fullani shtoi se sistemi bankar në Shqipëri nuk ka lidhje as direkte dhe as indirekte me atë qipriot, gjë që sipas tij, garanton sigurinë e sistemit tonë.

Top Channel