Një grup i të rinjve nga Kosova e Serbia mësojnë në bazë të shembujve të fqinjëve gati më armiqësor në histori. Shembulli gjermano-francez për dialogun në Ballkan ka mbledhur edhe përfaqësues nga Franca e Gjermania.
Kosovarët e rinj, së bashku me ata serbë, kanë vizituar Kuvendin e Serbisë dhe shumë organizata lokale e rajonale, në një projekt që ka nisur në Gjermani, Serbi dhe vazhdon në Kosovë. Kanë mundur të fotografohen në kuvend dhe të flasin për politikat shtetërore, dialogun me Kosovën dhe integrimet europiane.
Milica Deleviç, parlamentare demokrate dhe shefe e Këshillit për Integrim, u ka folur për procesin.
“Çdo projekt që mbledh të rinjtë rrit mundësitë për të kuptuar shikimin e palës tjetër. Pa e kuptuar këtë gjë, nuk mund të shpresojmë për zgjidhjen e problemeve dhe, njëkohësisht, kështu mund të rrisim bashkëpunimin në rajon në të ardhmen, për të cilin të gjithë jemi pajtuar”, tha Milica Deleviç.
Pjesëmarrësit thonë se këto janë eksperienca për shembuj të mundshëm. Në një grup të përbashkët, marrin pjesë shqiptarët dhe serbët nga Mitrovica dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët tentojnë ta bëjnë atë që, me shumë vështirësi ose fare, nuk e bëjnë liderët e tyre të një gjenerate vendimmarrëse.
“Për ne të rinjtë nga Kosova është e rëndësishme, që të takohemi dhe të themi mendimet tona, në mënyrë që të tejkalojmë problemet. Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet tona dhe, në takime të tilla me atmosferë të lirë, mund të shohim zgjidhje. Nesër mund të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë dhe Mitrovica e qytetet e tjera mund të kenë të ardhme”, tha Marija Goloboviç, Mitrovicë.
Programi, i organizuar nga katër organizata të ndryshme, nga vendet që kanë vizituar të rinjtë, nuk është i vetmi. Për vite të tëra, programet e vizitave për të rinj kanë përfshirë mbi dy mijë persona. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe duket se janë ende në fazën e kapitullimit dhe vështirë se ka ecur faza e ripajtimit.
Megjithatë, 14 vjet më parë ndodhën bombardimet, ndërsa tani, më shumë të rinj njihen dhe flasin.
Top Channel