Heqja e TVSH për bujqësinë

27/03/2013 00:00

Komisioni parlamentar i ekonomisë votoi me unanimitet një ligj që heq tatimin mbi vlerën e shtuar për lëndët e para në sektorin e bujqësisë.

“Në këtë projektligj është parashikuar të përjashtohen nga TVSH-ja farat, fidanët, pesticidet, plehërat kimike, kafshët e punës, plasmasin për buqësinë, etj”, deklaroi Arjana Dyrmishi, drejtore e politikave fiskale në MF.

Kjo nismë është propozuar më parë nga opozita, fillimisht në mars të 2012 dhe më vonë edhe në dhjetor kur u miratua buxheti. Por në të dy rastet qeveria e kundërshtoi ashpër.

“Ne i kemi propozuar dhe ju i keni refuzuar kategorikisht. Ndërsa sot vini dhe thoni të kundërtën e atyre argumentave, që ne i sollëm dy herë dhe u bllokuan”, replikoi deputeti Erjon Braçe.

Por ky ndryshim i papritur në pozicionin e qeverisë ngre një tjetër pikëpyetje, që ka të bëjë me mbulimin financiar te efekteve. “Ministria e Financave po vlerëson efektet dhe reformat e privatizimeve do të përdoren për të kompensuar efektet negative”, sqaroi Dyrmishi.

“Po më thua që do përdorësh lekët e privatizimeve kur lekët e privatizimeve i ke borxh ndaj kompanive private dhe u shpenzuan ende pa u arkëtuar”, replikoi sërish Braçe.

Rreziku për shthurjen e financave publike është edhe më i madh, në kushtet e një viti elektoral. “Na thoni ç’do bëhet me defiçitin. Historia që ‘pas meje të bëhet nami’ do na groposë të gjithëve. Ky shqetësim kalon përtej mandatit tuaj politik”, kundërshtoi Braçe.

“Ne kemi treguar se qeverisim me përgjegjësi”, u përgjigj pas tij kryetari i komisionit të ekonomisë, Edmond Spaho.

Veç këtij drafti komisioni miratoi edhe marrëveshjen e re konçesionare për hidrocentralin e Devollit, që pas largimit të “EVN” i kalon 100 për qind kompanisë “Shtatkraft”.

Top Channel