Qipro, “model” për vendet e tjera

26/03/2013 00:00

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, njoftoi krijimin e një “task force” për t’i ardhur në ndihmë Qipros, pas marrëveshjes së vulosur në Bruksel me kreditorët ndërkombëtarë.

Në këmbim të dorëzanisë prej 10 miliardë eurosh, vendit do t’i duhet të mbyllë bankën e tij të dytë më të madhe, ndërsa personat me depozita bankare më të mëdha se 100.000 euro do të preken ndjeshëm.

Mes tyre ka edhe mjaft pasanikë rusë. Barroso thotë se “task forca” e Komisionit Europian do ta zbusë disi impaktin ekonomik dhe atë social, që marrëveshja do të ketë mbi ishullin.

“Më në fund, arritëm të pajtoheshim mbi paketën prej 10 miliardë eurosh, që vlen sa 55% e prodhimit të brendshëm bruto (GDP) të Qipros. Tani na duhet të shohim se si mund t’i mobilizojmë të gjitha mjetet, që kemi në dispozicion, e për këtë arsye, u vendos krijimi i një “task force”, e cila të sigurojë asistencë teknike për autoritetet vendase. Ne duam t’i lehtësojmë pasojat sociale të shok-ut ekonomik, duke mobilizuar fonde nga instrumentat e BE-së dhe duke mbështetur zyrtarët qipriotë në rivendosjen e stabilitetit financiar, ekonomik dhe atij social”, u shpreh Barroso.

Megjithatë, komentet e Barrosos dhe vetë arritja e marrëveshjes nuk munden të qetësonin tregjet në Europë e Shtetet e Bashkuara, të gjitha në rënie, si pasojë duket e komenteve të ministrit hollandez të Financave, Jeroen Dijsselbloem, që si lider i eurogrupit luajti një rol kyç në negociatat me Qipron.

Dijsselbloem u shpreh se, edhe vende të tjera mund të detyrohen të ristrukturojnë bankat e tyre, çka nënkupton se shtetet në fjalë rrezikojnë gjithashtu të përballen me situata, që do të kërkojnë zgjidhje të ngjashme me këtë të Qipros, e cila po detyrohet të taksojë ashpër depozitat bankare me vlerë mbi 100.000 euro.

Top Channel