Portret për Nënë Terezën

26/03/2013 23:50

Në kuadër të pranverës greke në Shqipëri, gjatë së cilës do të ketë një sërë aktivitetesh kulturore dypalëshe, ambasada greke në Tiranë i ka dhuruar popullit shqiptar një portret dixhital të Nënë Terezës.

Vepra artistike, e krijuar nga artisti i njohur grek Charis Tsevis, është formuar nga shumë foto fëmijësh anonimë, që shenjtorja me origjinë shqiptare i ka ndihmuar gjatë jetës së saj.

Portreti iu dorëzua ministrit të Kulturës Aldo Bumçi, në një ceremoni në mjediset e kësaj ministrie. Një kopje e tij do të vendoset së shpejti në Tiranë, në sheshin i cili mban edhe emrin e Nënë Terezës.

“Kjo dhuratë është portreti i Nënë Terezës. Mendoj se nuk mund të kishte gjetje më të bukur. Nënë Tereza, me gjak shqiptar, por që ia dedikoi jetën e saj gjithë botës. Ne jemi shumë mirënjohës për dhuratën dhe për faktin që është sot i pranishëm këtu, në Tiranë, në Ministrinë e Kulturës”, tha Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Artisti vetë ka pohuar se miqtë e tij shqiptarë kanë qenë shtysa fillestare, që e ka frymëzuar për të krijuar këtë vepër.

“Flasim për një personazh, që i kalon kufijtë gjeografikë dhe ideologjikë. Zakonisht, pas çdo përpjekjeje gjendet një histori personale. Në qendër të kësaj vepre janë dy gjëra: Fëmijët, që janë gjithçka, janë shpresa jonë për të ardhmen, dhe ngjyrat, si pjesë përbërëse të dritës, janë pjesë e asaj energjie që mund të shohin sytë tanë. Do të ishte një gjë e bukur që këto ngjyra t’i japin jetë një gjëje ideale të përbashkët”, tha Charis Tsevis, artist, krijues i portretit dixhital të Nënë Terezës.

Ambasadori i Greqisë, z. Leonidas Rokanas, i pranishëm në këtë ceremoni, është shprehur se kultura është identiteti i çdo kombi dhe përbën një gjuhë të mirë komunikimi. Ai tha se ajo qëndron në epiqendër të aktiviteteve të organizuara, pasi na mëson si të bashkëpunojmë dhe të krijojmë ura të ndryshme komunikimi.

Top Channel