Heqja e taksave për pagat

26/03/2013 00:00

Komisioni kuvendor i ekonomisë miratoi me votat e shumicës ligjin që heq tatimin mbi të ardhurat për pagat deri në 30 mijë lekë në muaj.

“Përmes kësaj mase në po u japim këtyre individëve një pagë mujore shtesë në vit, të subvencionuar nga buxheti”, deklaroi deputeti Alfred Rrushaj.

Opozita nuk mori pjesë në votim, pasi socialistët duan një tjetër model, atë që i takson të ardhurat progresivisht.

“Sipas variantit tonë, taksat do të ulen për pagat deri në 150 mijë lekë. Vetëm 4 për qind e të punësuarve do paguajnë një taksë më të lartë”, deklaroi deputeti i PS, Arben Ahmetaj.

Socialistët kërkojnë që nga ulja e taksave të përfitojë edhe shtresa e mesme, të cilën ligji e lë jashtë. Por qeveria thotë se këtë kategori e ka kompensuar në një tjetër mënyrë.

“Po mirë, por arsimtarët, mjekët, infermierët, të gjithë punonjësit e mesëm nuk përfitojnë nga ky ligj”, theksoi deputeti tjetër, Erjon Braçe.

“Kemi rritur pagat për këta”, u përgjigj Rrushaj.

Sipas Ministrisë së Financave, individëve që përfitojnë nga ligji, qeveria po u fal 25 milionë dollarë në vit. Por për opozitën ky është korrigjimi minimal i një padrejtësie që sipas saj qeveria e bën prej 5 vjetësh ndaj kësaj shtrese.

Veç heqjes së tatimit mbi të ardhurat, drafti parashikon edhe kompesimin e taksës së ndërtesave për individët me të ardhura deri në 1 milion lekë në vit, nëse plotësojnë deklaratën e të ardhurave.

Paralelisht komisioni i ekonomisë miratoi sërish me votat e shumicës edhe një ligj që ndalon pushtetin vendor të taksojë antenat e kompanive private të vendosura në hapsirat publike.

Top Channel