Berisha me biznesin lokal

25/03/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha, në një takim me bizneset në Bërzhitë, theksoi se prioritet i qeverisë është punësimi dhe rritja ekonomike.

Ne nuk do të rrisim taksat për 4 vitet e ardhshme, por do të krijojmë një mjedis të favorshëm për biznesin, tha ai, ndërkohë që u ndal tek taksa progresive që premton kundërshtari i tij politik Edi Rama.

“Me taksën proporcionale si të barabartë mashtron gjithë ditën. Me taksën 10 për qind, ai që fiton 1 mijë paguan 100, kush fiton 100 paguan 10. Ajo është taksa e Marksit, që nuk lejon njerëzit të pasurohen. Unë s’kam frikë nga pasuria juaj dhe ju premtoj se përsa kohë të votoni PD, ju nuk do keni kurrë rritje taksash”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se do të nxisin punësimin e të rinjve duke i përjashtuar ata nga çdo lloj detyrimi, pasi papunësia e të rinjve përllogaritet sa dyfishi i papunësisë së përgjitshme. Ndërkohë që do të trefishojë skemën e subvencionimit për projektin e halorëve dhe arrorëve.

Por në periferi të Tiranës, aty ku kryeministri zhvilloi bashkëbisedimin, hasi në problemet e kësaj zone ku një mjek gjinekolog theksoi mungesën e shërbimit të gjinekologjisë në të.

“Unë jam klinika e vetme në Shqipëri e hapur në zonat rurale. Shumë gra nuk ikin në Tiranë dhe kanë shumë të drejtë. Ashtu siç nuk më vijnë mua shumë paciente. ‘Doktor, e ke shumë larg’, më thonë”, u ankua mjeku.

“Në sistemin shëndetësor rajonizimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje, duhet të rrisim numrin e mjekëve. Treguesit nuk janë aty ku duhet”, u përgjigj kryeministri.

Kryeministri Berisha u kërkoi votën bizneseve dhe banorëve të zonës, me qëllim që biznesi të jetë i çliruar nga taksat dhe të rinjtë të gjejnë punë, duke ulur kështu papunësinë e duke çuar në rritje të ekonomisë së vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA