Gjirokastër, kapen 195 kg hashash

23/03/2013 00:00

Policia e qytetit të Gjirokastrës ka finalizuar me sukses mëngjesin e së shtunës një operacion anti-drogë, duke sekuestruar një sasi lënde narkotike dhe vënë në pranga transportuesin.

Sipas informacioneve të autoriteteve policore lokale, lënda narkotike e tipit hashash është konfiskuar në aksin Gjirokastër-Tepelenë-Memaliaj, ndërsa në pranga ka përfunduar shtetasi Genci Zymbyli.

Ky i fundit, saktësojnë burimet, e kishte blerë drogën, 195 kilogramë, në fshatin Lazarat dhe përmes mjetit të tij tip “Ford” po e transportonte drejt Greqisë.

Më herët gjatë muajit, në të njëjtat rrethana u arrestua 24-vjeçari Taulant Mustafaraj, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij në pikën doganore të Kakavijës u gjetën 30 kg lëndë narkotike.

Droga u gjet e fshehur në shasinë e automjetit të 24-vjeçarit, e ndarë në disa pako. Sasia e hashashit ishte blerë nga i riu në fshatin Lazarat dhe do të trafikohej për në Greqi.

Sikurse në rastin e sotëm, policia lokale nisi një hetim për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA