AK: Sulmi ndaj TCH, ogur i zi

23/03/2013 00:00

Aleanca Kuqezi ka mbledhur paraditen e së shtunës strukturat e degës së Tiranës, në prag të mbajtjes së kongresit të saj.

Eksponentët e Aleancës Kuqezi kanë dënuar sulmet që kryeministri Sali Berisha po u bën mediave që nuk ndjekin linjën editoriale të tij, në veçanti Top Channel.

“Qeveria po ushtron një presion të madh mbi median. Berishës po i rikthehen simptomat e vitit 1996. Kryeministri po ushtron dhunë verbale dhe fizike mbi kundërshtarët”, kanë deklaruar drejtuesit e AK.

Sipas tyre, këto veprime të shefit të qeverisë janë shenja të qarta paniku në prag të zgjedhjeve dhe përballë protestave që do të ndërmarrin në prill aktivistët kuqezinj.

“Sulmi ndaj “Top Media” është një ogur i zi në prag të zgjedhjeve. Kjo tregon se kryeministri në panik. Më 7 prill orteku i kuqezinjve do të jetë përballë bunkerit të zi të shtetasit Berisha”, kanë shtuar drejtuesit e AK.

Një ditë më parë ishte Partia Socialiste, që përmes kryetares së komisionit të medias, Valentina Leskaj dënoi presionet politike ndaj Top Channel dhe urdhërin e gjykatës për të mbyllur studiot e ndodhura në ekspozitën “Shqipëria Sot”.

“Me sulmin ndaj Top-Channel, Berisha po mbyll karrierën e tij politike, duke mbytur zërin e medias së lirë”, deklaroi nga Selia Rozë, deputetja Leskaj. 

Top Channel