Festohet Sulltan Novruzi

22/03/2013 00:00

Në një ditë të shenjtë për të gjithë besimtarët bektashinj, atë të sulltan Novruzit, kryetari i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi të gjithë besimtarët dhe shqiptarët kudo ndodhen për sa më shumë paqe dhe begati.

Në një lidhje direkte me “Top-Channel” në programin “Goodmorning Albania”, Baba Edmondi tha: “Uroj që kjo ditë e veçantë për të gjithë besimtarët të sjellë sa më shumë paqe, begati, mirësi dhe të ardhura për përballimin e vështirësive të jetës”.

”Kjo është dita e përkujtimit të Imam Aliut, dijetarit dhe shenjtorit më të madh, që luftoi ndaj diktaturës, injorancës, duke sjhellë paqe, dashuri dhe mirësi”.

Në fjalën e tij, Baba Edmondi ftoi të gjithë shqiptarët, që të marrin pjesë në ceremonitë festive.

Komuniteti bektashi kremton ditën e shënuar

Ndërkohë më vonë, në selinë e Kryegjyshatës botërore të bektashinjve këtu në Tiranë është mbajtur edhe ceremonia e drejtuar nga kryegjyshi botëror, i cili ka dhënë dhe një mesazh.
 
 “Ne emrin e Zotit të të plotfuqishëm. Të falem o Zot që këtë ditë e ke bërë ditë gëzimi për të gjithë krijesat në këtë planet. Me lindjen e ditës së shkëlqyer të Ali Myrtezait në Qabenë e madhërueshme, luani ynë i vërtetë, mbrojtësi i luftës tënde, shkatërrimtari i të pabesëve, përfaqësuesi yt në të gjithë faqen e dheut, i pajisur me cilësitë dhe vetitë hyjnore, për hir të tij dhe të veprës të tij, o Zot falna gabimet e të metat pa qëllim, shpëtoje gjithë njerëzinë nga frika dhe nga tmerret! Bëj o Zot të lindin burra udhëheqës të mirë që të qeverisin me drejtësi në mes të popujve dhe ne na bëj besnikë të pandarë nga drita e Ali Myrtezajt, nga ajo ditë që ti vetë o Zot, me madhërinë tënde e ke hijeshuar dhe shenjtëruar!” tha kryegjyshi botëror.

   
Presidenti Nishani uron besimtarët bektashinj

Presidenti i vendit Bujar Nishani uroi besimtarët bektashinj me rastin e Sulltan Novruzit.

“Nga më interesantet, nga më të bukurat marrëdhënie të një populli me një besim, marrëdhënia e shqiptarëve me Bektashizmin, ka qenë gjithmonë një marrëdhënie magjepsëse, shumëdimensionale, sa shpirtërore, shoqërore, edhe utilitare. Bektashizmi i ka shërbyer në shekuj shqiptarëve si çimento lidhëse për të bërë të mundur drejtpeshimin shpirtëror përbrenda vetes, sa edhe për të ruajtur ekuilibrat, me njëri-tjetrin si dhe mes Bektashizmit dhe besimeve të tjera”, thuhet në këtë mesazh.

Presidenti më tej shkruan: “Përqafimi i Bektashizmit prej shqiptarëve nuk është thjesht çështje misionarësh të zotë që u nisën prej diku e mbërritën diku tjetër për të përhapur një besim.Në themel të kësaj dukurie mrekullibërëse janë një numër cilësish të përbashkëta mes Bektashizmit dhe shqiptarëve. Disiplina dhe toleranca, kryelartësia dhe përulja, aftësia për të qenë në të njëjtën kohë edhe pjesë e diçkaje më të madhe edhe diçka e mëvetëshme, janë disa prej këtyre cilësive. Popullarizimi i Bektashizmit ndër shqiptarë është rast i rrallë i një përshtatshmërie perfekte për t’u zhvilluar, begatuar e përsosur përmes peripecive mundonjëse dhe vuajtjeve të shumta. Duke gëzuar këtë festë, duke kryer ritin e saj, të urojmë njëri- tjetrin për më shumë mirësi, për më shumë begati, për më shumë harmoni”.

Berisha uron Sulltan Novruzin

Kryeministri Berisha ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit.

Në një prononcim për mediat pas vizitës që zhvilloi në kryegjyshatën e bektashinjve, Kryeministri tha se kjo është një ditë frymëzimi për të gjithë shqiptarët.

“I përcjell të gjithë besimtarëve bektashinj shqiptarë kudo që janë, të gjithë besimtarëve të Zotit, urimin më të përzemërt në këtë ditë të shenjë, ditë frymëzimi për besimtarët, frymëzimi për përpjekjet gjithnjë e më të mëdha për të realizuar qëllimet fisnike, mirësinë për veten dhe për familjen”, tha Kryeministri.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se bektashizmi është e lidhur me përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe dinjitet.

Top Channel