Analistët kritikojnë Qipron

20/03/2013 23:45

Qipriotët morën frymë të lehtësuar pas vendimit të ligjvënësve për të mos pranuar kushtin e kreditorëve ndërkombëtare për taksimin e depozitave të tyre.

Por, mjaft analistë mendojnë se, vendimi për të refuzuar paketën e shpëtimit të BE-së është një gabim i rëndë e me pasoja, si për Qipron, ashtu edhe për 16 anëtarët e tjerë të Eurozonës.

Gadishmëria për t’i huazuar 10 miliardë euro bankave qipriote, buzë falimentimit, dhe shtetit, që thuajse nuk ka më aftësi shlyerjeje, konsiderohet një ofertë bujare, për të cilën duhet të ishte menduar pak më gjerë.

Në vend të kësaj, nën trysninë e klientëve të zemëruar të bankave, parlamenti në Nikozi ndoqi një argumentim thuajse absurd. Nuk ishte fjala për ta vendosur Qipron nën sundimin e një fuqie të huaj, apo për të realizuar interesa gjermane për pushtet, thonë ekspertë si Bernd Riegert, por për të mbajtur në jetë shtetin e vogël, që deri në qershor nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimet e veta.

Kontributi, që duhej të jepte vetë Qipro, rreth 5,8 miliardë euro, ishte i arsyeshëm. Vendimin për të përfshirë klientët e bankave dhe investuesit, në mbledhjen e shumës së nevojshme, u mor bashkarisht nga shtetet e Eurozonës, përfshirë qeverinë qipriote.

Tashmë është e qartë se Qipro, për vite me radhë ka jetuar mbi mundësitë e veta. Modeli i biznesit me taksa të ulëta dhe kontrolle të dobëta të sektorit bankar, për të tërhequr kështu kapital nga jashtë, ka dështuar që prej verës së kaluar, moment kur ekzekutivi qipriot apeloi për ndihmë ndërkombëtare, pasi bankat, pjesërisht të shtetëzuara, kishin gabuar me spekulimet e tyre.

Eurozonës tani do t’i duhet të rinisë me urgjencë negociatat me Nikozinë, nëse ka ende interes, që Qipro të mbetet në unionin monetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA