“U varfëruan 95% e shqiptarëve”

19/03/2013 22:55

Partia Socialiste deklaroi sot se me taksën e sheshtë u varfëruan 95% e
shqiptarëve, ndërsa u pasuruan pak njerëz afër qeverisë dhe
kryeministrit Berisha. Kjo, sipas opozitës, është një tjetër arsye për
të mos e votuar këtë qeveri në 23 qershor.

Por, Partia Demokratike deklaroi se qeveria Berisha ka krijuar një klimë të favorshme për biznesin. Ajo akuzoi Ramën se, me programin e tij, do të ngrejë taksat me 50% për çdo biznes të vogël e të mesëm.

“E vetmja gjë që ka bërë taksa e sheshtë në qeverisjen 8-vjeçare të Saliut është se ka zhvendosur barrën fiskale nga bizneset e mëdha te qytetarët e thjeshtë, duke sjellë varfërimin e ditë pas ditshëm të 95% të qytetarëve shqiptarë dhe përqendrimin e skajshëm të pasurisë në një grup njerëzisht gjithnjë e më të vogël, kryesisht të lidhur me pushtetin e Saliut”, tha Beqja. “Pra duket qartë se Saliu në mënyrë të qëllimshme e ka zhvendosur barrën fiskale te qytetarët, duke sjellë varfërimin dhe rënien e fuqisë blerëse të 95% të shqiptarëve dhe pasurimin e një grushti njerëzish, që në këto 8 vjet qeverisje të Sali Berishës, jo vetëm që kanë përfituar nga tenderat, liçencat dhe konçensionet korruptive, por kanë paguar më pak taksa se qytetarët e thjeshtë”, shtoi Beqja.

PD: Qeveria favorizon biznesin
“Rama do t’i ngrejë taksat me 50% për çdo biznes të vogël e të mesëm”

“Prej vitit 2005, numri i bizneseve të vogla është rritur me 50% dhe numri i bizneseve të mesme me mbi 150%. Kjo ka ardhur për shkak të politikave të heqjes dhe uljes së taksave për biznesin e vogël dhe eliminimin e burokracisë përmes sistemit “One Stop Shop”. Kryeministri Berisha hoqi TVSH-në për makineritë që do përdoren për prodhim, sepse kjo është e vetmja mënyrë realiste për të hapur vende të reja pune. Nga ana tjetër, Edi Rama bën të kundërtën. Jo vetëm nuk ka asnjë plan konkret për të përmirësuar klimën e biznesit, por madje e pengon atë. A nuk ishte Edi Rama, që si kryetar i Bashkisë së Tiranës i dyfishoi taksat. I ashtuquajturi plan i Ramës do t’i ngrejë taksat me 50% për çdo biznes të vogël e të mesëm, të cilët përbëjnë gjeneratorin e krijimit të vendeve të punës në ekonominë tonë”, deklaroi Bogdani.

Top Channel