Unioni i Gazetarëve ka reaguar ashpër nëpërmjet një deklarate të
shpërndarë të martën lidhur me veprimet e organeve të drejtësisë dhe
Përmbarimit, ndaj ambienteve të televizionit Top Channel.

Aleksandër Çipa, kreu i ketij Unioni e konsideron rrethimin e studiove televizive me policë, si dhunë dhe presion psikologjik ndaj gazetarëve.

“Dënojmë aktin e rrethimit të një mjedisi, të një kanali kombëtar televiziv nga forca policore apo edhe forca përmbarimore. Ky është një akt që në një lloj pikëpamje reflekton një dhunë psiqike mbi gazetarët mbi një staf profesionistësh televizivë, mbi vetë audiciencën që e dëshiron kaq shumë një kanal të tillë”, tha Çipa.

Ne prag te zgjedhjeve elektorale, Çipa i konsideron keto veprime të organve te drejtesise, si qendrime politike ndaj medias.

“Një vendim i tillë që ekzekutohet pikërisht në një moment të tillë nuk e përjashton dot as ndikimin, as efektin politik mbi mediat shqiptare. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bën thirrje që forcat vendimmarrëse dhe ekzekutuese të këtij urdhëri të tërhiqen nga ky veprim. T’i lënë kohë stafit televiziv, sipërmarrjes televizive dhe në vecanti menaxhmentit të kësaj kompanie të kryejnë veprimet dhe të kenë kohë fizike për të ndërtuar transferimin, ringritjen e studiove”, tha Çipa.

Sipas Unionit te Gazetareve, ne çdo vend do te kishte reagime te forta te shoqatave të mediave, kur programe me audience te larte rrezikohet të ndërpriten për shkak te politikave qeveritare.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i bën thirrje drejtësisë shqiptare të mos ndjekë veprime selektive të ekzekutimit të urdhërave qofshin këto edhe përmbarimore. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon bllokimin dhe ndaljen e këtij aksioni, i cili drejtpërsëdrejti prek një nga programacionet më të rëndësishme dhe më të ndjekura për audiencën shqiptare në tërësi, jo vetëm brenda hapësirës së Shqipërisë administrative, por në të gjithë hapësirën shqiptare”, thotë Çipa.

Top Channel